Armëpushimi Izrael–Liban, Netanyahu dhe presidenti libanez Aoun pritet të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë për takim trepalësh me Trump

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti libanez Joseph Aoun do të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë për një takim trepalësh me Donald Trump “brenda 4-5 ditëve të ardhshme”, tha sot presidenti amerikan.

“Do të jetë hera e parë në 44 vjet që ata takohen, gjë që nuk është fqinjësi e mirë, duke pasur parasysh se janë fqinjë”, u tha Trump gazetarëve.

Të lidhura

None found

Kujtojmë se ditën e sotme Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor, një zhvillim i konfirmuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump. Netanyahu e cilësoi këtë si një mundësi për një marrëveshje historike, duke theksuar se kushti kryesor i tij mbetet shpërbërja e Hezbollahut.

Trump, nga ana e tij, deklaroi se kishte zhvilluar biseda telefonike me presidentin e Libanit Joseph Aoun dhe me kryeministrin izraelit Netanyahu, duke nënvizuar se armëpushimi do të nisë zyrtarisht në orën 5 pasdite (EST). Ai e prezantoi këtë si pjesë të përpjekjeve të tij për të ndërmjetësuar paqe mes dy vendeve, duke kujtuar se ishte hera e parë pas 34 vitesh që delegacione izraelite dhe libaneze takoheshin në Uashington.

Në një postim publik, Trump tha se kishte udhëzuar zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e shtetit Marco Rubio dhe kryetarin e shefave të shtabit të përbashkët Dan Caine të punonin me palët për të arritur një paqe të qëndrueshme. Ai e cilësoi këtë si luftën e dhjetë që ndërmjetëson për ta përfunduar.

Paralelisht, Trump deklaroi se Irani ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet, duke e quajtur këtë një marrëveshje të fortë dhe të mirë, edhe pse nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga Teherani.

Ndërkohë, tensionet diplomatike janë shtuar edhe nga komentet e Papa Leo, i cili kritikoi ashpër liderët që shpenzojnë miliarda për luftëra dhe tha se bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh. Trump reagoi duke thënë se Papa duhet të kuptojë se Irani është një kërcënim për botën dhe se kjo është “bota reale”.


Shtuar 16.04.2026 23:35

Tags: , ,