Biden nën presion, çmimet arrijnë ekstremin, rritet inflacioni

Ndërsa vendet mëkëmben nga pandemia, inflacioni po bëhet gjithnjë e më shqetësues në mbarë botën. Në Shtetet e Bashkuara po shtohen presioni mbi presidentin Joe Biden, për të trajtuar kostot në rritje të ushqimit, qirasë dhe karburantit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara rimëkëmben nga pandemia, dy realitete kontradiktore ekonomike po ndodhin njëherazi. Njerëzit po gjejnë punë dhe pagat janë rritur. Por po ashtu janë rritur kostot, veçanërisht për karburantin.

Me zgjedhjet për në Kongres këtë vit, shqetësimi për inflacionin është një nga problemet kryesore për presidentin Biden. Një sondazh i ri i rrjetit ABC News/Ipsos i zhvilluar të dielën tregon se vetëm 28% e votuesve e miratojnë trajtimin e inflacionit nga presidenti Biden.

Nga ana e tij presidenti tha se do të vazhdojë të lejojë Bankën Qendrore (Rezervën Federale), e cila ka shtrënguar politikat monetare muajt e fundit, të bëjë punën e saj. Ai do të ndërmarrë nisma të reja për të ulur koston e energjisë dhe strehimit.

Ekspertët thonë se administrata Biden duhet të marrë masa për të frenuar inflacionin, por masat nuk duhet të jenë aq të ashpra sa ta çojnë ekonominë në recesion. Sekretari amerikan i transportit Pete Buttigieg tha se rritja ekonomike pritet të jetë e fortë.

“Po përgatitemi për rrugën përpara, nuk presim atë rritje ekonomike të shpejtë dhe të menjëherëshme, që kemi pasur gjatë vitit të kaluar, por ende presim, që rritja ekonomike të jetë e fortë dhe po punojmë për ta mbajtur këtë mënyrë rritjeje”.

Çmimi i karburantit është një shqetësim i veçantë. Ndërsa çmimet u rritën gjatë vitit të kaluar, ato janë rritur më shumë gjatë luftës në Ukrainë, për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Republikanët thonë se presidenti Biden nuk ka një plan për të ndaluar inflacionin.

“Biden është si një fëmijë i pasur… nuk e ka idenë se si ta trajtojë inflacionin, nuk ka në plan të merret me inflacionin. Gjithçka që bën është të fajësojë të gjithë të tjerët, përfshirë Putinin, për inflacionin që ka krijuar”, tha senatori republikan Rick Scott.

Javën e kaluar, administrata Biden përshëndeti si një përparim diplomatik një vendim nga grupi i vendeve prodhuese të naftës që do të rriste furnizimin me naftë bruto gjatë dy muajve të ardhshëm./VOA/