Betejë për Donbasin, Zelensky: Kosto të tmerrshme njerëzore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se beteja për Donbasin do të ketë kosto të tmerrshme njerëzore.

Zelensky u shpreh se ukrainasit do të paguanin një kosto të lartë për vazhdimin e betejës së zgjatur në Donbas.

Ai e ka cilësuar betejën si më brutalen në Europë dhe për Europën. Edhe një herë, ai përsëriti kërkesën për më shumë armë nga Perëndimi, siç tha për të siguruar avantazhin ndaj Rusisë dhe për t’i dhënë fund torturës në Donbas.

“Kostot njerëzore të betejës në rajonin lindor të Donbas janë tejet të larta, thjesht të tmerrshme. Kjo do të mbahet mend pa dyshim si një prej betejave më të dhunshme në Europë. Ne po përballemi me një mizori absolute. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të ecim përpara dhe të çlirojmë territorin tonë”, tha Zelensky.

Sakaq, në një intervistë për rrjetin televiziv ZDF, Presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij ka nevojë për mbështetje të plotë të Gjermanisë kundër pushtimit rus. Sipas Zelensky-t, kancelari Scholz duhet të vendosë dhe të mos përpiqet për krijimin e balancave mes Ukrainës dhe Rusisë. Komentet e liderit ukrainas vijnë erdhën pas raportimeve se ushtria ruse kishte shkatërruar të gjitha urat në qytetin kyç të Severodonetsk, duke e izoluar atë nga pjesa tjetër e vendit. Autoritetet rajonale thonë se evakuimi i civilëve, trupave dhe dërgimi i ndihmave është tani i pamundur.

Mijëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar atje në kushte të mjerueshme. Ushtria pushtuese raportohet të ketë shënuar përparim edhe në rajonin e Kharkiv për herë të parë në shumë javë, megjithatë ofensiva kryesore është ajo në Serverodonetsk. Autoritetet ukrainase konfirmuan zbulimin e një varri të ri masiv në qytezën e Buchas pranë Kievit.

Sipas policisë lokale janë gjetur trupat e 7 civilëve pranë fshatit të Myrotske, shumë prej të cilëve me duart e lidhura dhe plagë të shkaktuara nga armë zjarri në gjunjë. Sakaq, rebelët pro rusë në rajonin e Donetsk thanë se të paktën 5 vetë ishin vrarë të hënën si pasojë e sulmeve të ushtrisë ukrainase. Siç thuhet, zjarri i artilerisë kishte goditur një treg dhe një maternitet.