Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, firmosi sot me Dekretin nr. 375, datë 30.6.2026, shpalljen e ligjit nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie”.
Në të njëjtën ditë, kreu i shtetit dekretoi edhe ligjin nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike” dhe ligjin nr. 60/2026 “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”.
Të lidhura
None found
Amnistia Penale e miratuar nga Kuvendi parashikohet të sjellë lirimin e menjëhershëm të 466 personave të dënuar, ndërsa 869 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Me ndryshimet e bëra, përfitimi shtrihet te personat që kanë marrë vendim të formës së prerë deri më 31 maj 2026.
Nga kjo skemë përfshihen persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri më të ulët, si edhe gra, të mitur dhe të moshuar. Jashtë amnistisë mbeten autorët e krimeve të rënda, korrupsionit, trafikut të drogës dhe çështjeve që lidhen me SPAK.
Mes personave që do të lirohen menjëherë janë 11 gra dhe 1 i mitur, ndërsa ulje dënimi do të marrin edhe 8 gra të tjera dhe 1 i mitur tjetër.
Fillimisht ishte parashikuar që amnistia të vlente për ata që kishin marrë vendim të formës së prerë deri më 31 dhjetor 2025. Ndryshimet e fundit saktësojnë se përfitues do të jenë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të tillë deri më 31 maj të këtij viti. Të burgosurit do të kenë mundësi të përfitojnë edhe kur vendimi i formës së prerë nga Apeli nuk është zbardhur ende.
Amnistia përfshin burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet, si edhe ata me gjobë ose me dënime të tjera alternative më të lehta. Për gratë, përfitimi vlen për dënime me burgim deri në 4 vjet ose për masa më të lehta se këto.
Po ashtu, përfitojnë edhe burrat që ndodhen aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet, si edhe gratë që kanë ende për të kryer deri në 4 vjet dënim.
Një kriter tjetër lidhet me moshën. Në këtë kategori hyjnë burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç, si dhe personat që në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç, pavarësisht masës së dënimit, me përjashtim të rasteve kur ndodhen në burg për vepra të rënda që nuk amnistohen.
Nuk do të përfitojnë nga amnistia personat e dënuar për vepra të rënda penale, si vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore dhe një sërë veprash të tjera të rënda.
Jashtë kësaj mase mbeten edhe personat që i janë shmangur drejtësisë, përfshirë ata që janë fshehur, janë arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimit penal.
Çdo vepër që është nën juridiksionin e SPAK, si edhe çdo person që ka një vendim nga GJKKO, përjashtohet nga përfitimi, pavarësisht natyrës së dënimit.
Amnistia nuk shtrihet vetëm te të dënuarit. Projektligji parashikon edhe falje të ndjekjes penale për disa kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët, ndërsa zbatimi i procedurave konkrete do të kryhet nga gjykatat dhe prokuroritë pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Nga kjo masë, 2163 persona do të përfitojnë shuarje të shërbimit të provës, ndërsa 2914 të tjerë do të kenë ulje. Sipas Ministrit të drejtësisë Toni Gogu, numri i përgjithshëm i përfituesve nga kjo amnisti arrin në 6412 persona.
Partia Socialiste rrëzoi dy amendamente: atë të Arjan Ndojit të PD, i cili kërkonte që të përfitonin edhe të dënuarit nga GJKKO dhe SPAK, si edhe amendamentin e Jorida Tabakut, që synonte përfshirjen në amnisti të veprave të fyerjes dhe shpifjes.
Veprat që nuk amnistohen janë: vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, dhuna e rëndë ndaj fëmijëve, rrëmbimi dhe peng marrja, korrupsioni i zyrtarëve publikë, pastrimi i parave, trafiku i drogës, krimi i organizuar dhe organizatat kriminale, veprat terroriste, krimet zgjedhore, si edhe shumica e veprave të rënda mjedisore dhe ekonomike.
