Zbatimi i plotë gjatë këtij viti i sistemit të ri europian të hyrje-daljeve, EES, po sjell pritje të zgjatura dhe vështirësi në pikat kufitare dhe në aeroportet e zonës Shengen për shtetasit e vendeve të treta.
Sipas raportimeve të udhëtarëve nga Ballkani Perëndimor, procedurat për regjistrimin biometrik, që përfshijnë marrjen e gjurmëve të gishtërinjve, fotografinë dhe pyetje shtesë nga policia kufitare, po marrin shpesh më shumë kohë nga sa ishte parashikuar. Si pasojë, janë krijuar radhë të gjata dhe, në disa raste, janë humbur edhe fluturime.
Të lidhura
None found
Vështirësi janë evidentuar edhe me pajisjet teknike dhe vetë procesin e skanimit. Pasagjerë kanë raportuar raste vonesash prej disa orësh në aeroporte në Belgjikë apo gjatë udhëtimeve tranzit në vendet nordike, ndërsa në pikat kufitare tokësore pritjet kanë shkuar deri në dhjetëra minuta për automjet. Autoritetet europiane shprehen se këto probleme janë të pritshme në fazën e zbatimit të një sistemi të ri dhe theksojnë se EES ka për qëllim forcimin e sigurisë kufitare.
Sipas tyre, koha e përpunimit pritet të bjerë gradualisht falë modernizimit të infrastrukturës dhe përdorimit më të gjerë të teknologjisë digjitale. Në këtë kuadër, Policia greke konfirmoi për REL se gjatë kulmit të sezonit të verës do të përpiqet të tregojë më shumë fleksibilitet për të lehtësuar kalimin në kufi. “Greqia e përdor në mënyrë të përgjegjshme mundësinë e pezullimit të pjesshëm të parashikuar nga korniza përkatëse të BE-së, me qëllim përputhshmërinë e plotë me rregullat, por edhe ofrimin e shërbimit sa më të mirë të mundshëm për udhëtarët”, thane burime të saj.
Një mundësi e tillë parashikohet edhe nga Komisioni Evropian, institucioni që ka vendosur sistemin EES. “Pezullimi i mbledhjes së të dhënave biometrike është i mundur në disa pika kufitare dhe për një periudhë të kufizuar kohore në raste rrethanash të jashtëzakonshme që çojnë në kohë tepër të gjata pritjeje. Kjo mundësi ekziston deri në shtator, duke mbuluar kulmin e sezonit turistik veror”, thanë nzyrtarë nga Komisioni Europian.
