Volkswagen ka njoftuar një plan të gjerë riorganizimi, i cili parashikon eliminimin e 50 mijë vendeve të punës deri në vitin 2030, si pjesë e përpjekjeve për ta përshtatur kompaninë me vështirësitë e tregut ndërkombëtar.
Konfirmimi erdhi nga drejtori ekzekutiv Oliver Blume gjatë mbledhjes së përgjithshme vjetore të aksionarëve, e mbajtur online. Ai përshkroi gjendjen aktuale të kompanisë si “të tensionuar dhe sfiduese”, ndërsa theksoi se kushtet në sektorin e automobilave janë përkeqësuar edhe më shumë gjatë vitit 2026.
Të lidhura
None found
Para aksionarëve, Blume deklaroi se modeli i biznesit që për dekada kishte sjellë sukses për kompaninë, tashmë nuk po funksionon më dhe se kërkohet zhvillim i mëtejshëm i tij.
Në paraqitjen e strategjisë së re për vitin 2030, ai tha se synimi i Volkswagen është që deri në fund të kësaj dekade të kthehet në “prodhuesin më tërheqës të makinave në botë”.
Sipas Blume, automjetet e reja elektrike të kompanisë, mes tyre edhe ID.Polo i prezantuar së fundmi, tregojnë se Volkswagen po lëviz në kahun e duhur dhe po fiton terren përballë rivalëve. Megjithatë, ai pranoi se niveli i fitimeve nga këto modele mbetet ende nën pritshmëritë.
Ristrukturimi prek në mënyrë të veçantë markën kryesore VW, ku deri në vitin 2030 pritet të hiqen 35 mijë vende pune. Blume sqaroi se deri në fund të vitit 2026 numri i punonjësve do të ulet me rreth 19 mijë persona, ndërsa rreth 28 mijë largime vullnetare janë rënë tashmë dakord me stafin.
Kompania po përballet me shtimin e konkurrencës në segmentin e makinave elektrike, me kosto të larta prodhimi dhe me transformime të shpejta në industrinë globale të automobilave, çka po e shtyn Volkswagen drejt një prej ristrukturimeve më të mëdha në historinë e saj.
