Basha pret ministrin austriak, kush ishin çështjet e nxehta që u diskutuan (VIDEO)

Kryedemokrati Lulzim Basha ka realizuar një takim me Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Austrisë, Michael Linheart.

Basha është shprehur se ka diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi me ministrin në fjalë.

“Me kënaqësi prita Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Austrisë, Z. Michael Linhart, të cilit i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e çmuar dhe të kahershme të Austrisë për Shqipërinë, e në veçanti në përpjekjen tonë historike për integrimin në Bashkimin Europian.

Ndava me të prioritetet e Partisë Demokratike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin, që për shumë gjatë e kanë penguar dhe vonuar rrugëtimin tonë drejt BE-së.

Jam i lumtur që me Ministrin dhe përfaqësuesin e simotrës tonë Partisë Popullore të Austrisë, bashkëndajmë bindjen se Bashkimi Europian është alternativa e vetme për rajonin, si dhe e sigurova se anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet prioritet absolut i Partisë Demokratike, si garanci për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët shqiptarë”, ka shkruar Basha./albeu.com/