Basha: Mbyllim procesin e legalizimeve dhe riaktivizojmë ekonominë

Kryetari i Partisë Demokratike, në takimin elektoral nga qyteti i Korçës premtoi mbylljen e procesit te legalizimeve dhe riaktivizimin e ekonomisë duke hequr taksat abuzive.

Basha u shpreh se në 25 prill nuk duhet t’i jepet edhe njëherë mundësia deshtimit.

“Sot nga Korça dua dhe një herë të garantoj të gjithë banorët, të gjithë ata që për 8 vite me radhë u gënjyen nga premtimi për legalizimet falas dhe e dëgjuan planin e Edi Ramës për t’ju marrë votën, për t’ju mashtruar, për të mos ju legalizuar, për t’jua prishur pa dëmshpërblim 100 mijë shtëpi shqiptarësh, jetën, djersën, gjakun tuaj dhe të afërmve tuaj në emigracion, ky ka qenë dhe është Edi Rama i vërtetë. Kjo e keqe, ky dështim tani troketë për herë të tretë në portat e shqiptarëve. Shqiptarët ja kanë mbyllur dyert, Korça ja ka mbyllur dyert, Shkodra ja ka mbyllur dyert, Vlora, Durrësi dhe Tirana, mbarë Shqipëria, sepse zemrat e shqiptarëve thërrasin për ndryshim. Bashkë për ndryshim! E gjithë Korça, bashkë për ndryshim! Dhe ndryshimi po vjen me votën tuaj për numrin 9! Ne do të mundësojmë që jo vetëm të përmbyllim procesin e legalizimeve por dhe të riaktivizojmë ekonominë tonë duke hequr taksat abuzive, taksën mbi karburantin 240 për litër, i cili shtrohet në biftek tek Nusret-i. Faturat e kripura të energjisë, amnistinë e plotë për 350 mijë familje kulari i të cilëve rëndon 28 mijë lekë muaj për muaj, për të paguar luksin e qeveritarëve. Ulja e taksave, ulja e çmimit të energjisë dhe të naftës do ti japë korçarëve mbështetje, energji për të bërë atë që dine të bëjnë më së miri, punë të ndershme, mirëqenie, paga të larta, gëzim në familjet tona, dinjitet njerëzor, qytetari, pozitivistet. Nga Korça anembanë Shqipërisë, nga Konispoli në Vermosh, le ta kthejmë gëzimin në zemrat tona, le ta marrim fatin tonë në duart tona”, u shpreh Basha.

Teksa bëri thirrje për pjesëmarrje masive, Basha u shpreh se në 25 prill do të votohet për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

“Masivisht, ditën e diel, çdo i ri dhe e re korçare, ju bukuri, ju krenari e Korçës dhe e gjithë Shqipërisë, për shkollimin tuaj, për arsimin tuaj, për punësimin tuaj, për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, për hapjen e negociatave në 100 ditët e para të qeverisë sonë votoni numrin 9. Për prindërit tuaj, për rritjen e pensioneve, për t’jua fshirë lotët, për t’iu dhënë mundësinë ju të jeni pranë tyre me ta, të punoni e të fitoni në Korçën e bukurisë, të traditës, të punës, të fermerëve, të turizmit, të zejtarisë, e të krijoni këtu familjet tuaja pranë familjeve të prindërve tuaj. Ta ndalim plagën e emigracionit, ta rikthejmë Korçën në një perlë margaritar të ekonomisë dhe qytetarisë. Të dielën votoni numrin 9. Bashkë për ndryshim! Korça fiton!”, tha Basha.


Shtuar 21.04.2021 11:47