Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, nga Kryesia e Kuvendit akuzoi se procesi legjislativ në Shqipëri është vënë tërësisht në funksion të interesave personale të kryeministrit Edi Rama. Në fokus të deklaratës së tij ai vendosi Gardën e Republikës, të cilën e cilësoi si një prej hallkave më të rëndësishme të sigurisë kombëtare.
Balliu tha se prej vitesh efektivët e Gardës përballen me paga të ulëta, mungesë mbështetjeje dhe kushte të vështira pune, deri në pikën që shumë prej tyre detyrohen të marrin një punë të dytë për të mbajtur familjet. Sipas tij, qeveria i ka shpërfillur plotësisht këto probleme jetike.
Të lidhura
None found
Ai u shpreh se, në vend që të ndërhyhej për përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimit të tyre, mazhoranca ka zgjedhur të ndryshojë ligjin. Sipas Balliut, me këtë lëvizje janë hequr kriteret që vetë shumica i kishte vendosur më parë, me synimin e vetëm për t’i hapur rrugë emërimit të personit të preferuar drejtpërdrejt nga kreu i qeverisë.
Sipas deputetit demokrat, ky është një precedent i rrezikshëm që përbën një degradim të plotë të shtetit ligjor.
Balliu theksoi gjithashtu se institucionet e pavarura po trajtohen si pronë private e pushtetit dhe se siguria kombëtare po vihet hapur në shërbim të interesave të ngushta.
Në vlerësimin e tij, kjo situatë përbën një kërcënim themelor për demokracinë, ndërsa shtoi se qeveria aktuale ka kaluar çdo kufi.
