Avokati i njohur: Shoferi i autobusit mund të dënohet maksimumi 8 vjet, ekstradimi s’mund të ndodhë

Dhjetë persona mbetën të vdekur dhe 45 të tjerë të lënduar nga aksidenti tragjik i autobusit para tri ditësh në Kroaci.

Shoferi i cili ishte duke drejtuar autobusin në momentin e aksidentit, tashmë është arrestuar nga policia kroate dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Edhe pse Kosova dhe Kroacia nuk kanë marrëveshje për ekstradim, në medie është raportuar se një gjë e tillë mund të ndodhë me marrëveshje të veçantë.

Por, ndryshe mendon avokati i njohur i lëmisë penale,  Asdren Hoxhaj, i cili në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ekstradimi nuk ka mundësi të ndodhë.

“Kjo vepër penale kryhet nga pakujdesia andaj juristët e quajnë si vepër penale e privilegjuar në Kodin Penal. Dënueshmëria është nga 1 vit deri në 8 vite burgim. Por, ekstradim nuk do të ketë, pasi që Kroacia nuk e jep për shkak se vepra penale është kryer atje. Kjo vepër penale nuk ka asnjë lidhje me Kosovë, madje as Kosova nuk do ta kërkojë për shkak se kompetenca territoriale, lëndore dhe funksionale i takon rrethit të Sllavonski Brod në Kroaci, kështu që mbetet atje”, ka thënë ai.

Tutje, Hoxhaj ka folur edhe për rrethanat rënduese dhe lehtësuese që mund të paraqiten në gjykimin e shoferit të autobusit që u aksidentua.

“Rrethana rënduese është përgjegjësia e shoferit që mban në timon jetën e të tjerëve dhe pasha e veprës penale, pasi që ka shumë jetë të humbura aty. Rrethana lehtësuese nuk ka përveç pranimit të fajit dhe lodhjes apo përgjumjes. Por, rrethanat lehtësuese janë në pikëpyetje të madhe, andaj mendoj se shoferi do të dënohet goxha mirë”, ka thënë Hoxhaj.

Kujtojmë se trupat e pajetë të viktimave të aksidentit që ndodhi të dielën në Kroaci, kanë arritur në Kosovë gjatë ditës së sotme, ku familjarët kanë nisur edhe përgatitjet për ceremonitë mortore.


Shtuar 28.07.2021 18:31