Një incident i rëndë me armë zjarri, i ndodhur mesditën e së shtunës në një lokal të njohur në Elbasan, dyshohet se kishte si objektiv Mir Bitocin. Nga hetimet kanë dalë të tjera hollësi mbi mënyrën se si është zhvilluar ngjarja.
Dyshohet se gjithçka ka ndodhur rreth orës 14:50, teksa Bitoci po dilte nga lokali. Hetuesit kanë rindërtuar paraprakisht dinamikën duke u mbështetur te dëshmitë e personave që ndodheshin aty dhe te regjistrimet e kamerave të sigurisë.
Të lidhura
None found
Në pamjet filmike, Bitoci shihet fillimisht brenda lokalit, i veshur me një bluzë të zezë. Pasi qëndron disa minuta në tavolinë, ai ngrihet dhe del nga ambientet e brendshme.
Në të njëjtën kohë, nga vendi çohet edhe një person tjetër, i cili po pinte kafe në shoqërinë e një shtetaseje, dhe niset pas Bitocit. Të dhënat paraprake tregojnë se personi me bluzë të bardhë, sapo ka dalë jashtë, i është afruar atij nga pas dhe i ka vendosur armën e zjarrit në pjesën e pasme të kokës.
Bitoci dyshohet se i ka shpëtuar një përfundimi tragjik falë reagimit të menjëhershëm, duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon edhe mundësinë që pistoleta e autorit të dyshuar të jetë bllokuar pikërisht kur ai ka tentuar të hapë zjarr.
Nëse ekspertiza balistike e vërteton këtë rrethanë, ajo mund të shërbejë si një element i rëndësishëm për të përcaktuar natyrën e incidentit dhe për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një tentativë të drejtpërdrejtë vrasjeje.
Përmes analizimit të pamjeve të sigurisë dhe dëshmive të të pranishmëve në lokal, hetuesit synojnë të përcaktojnë plotësisht rrjedhën e ngjarjes, të zbulojnë nëse i dyshuari e ndoqi qëllimisht Bitocin dhe të identifikojnë motivin e përplasjes.
