Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Lezhë, pasi dyshohet se tentoi të vriste nënën e bashkëjetueses së tij duke e goditur me automjet dhe më pas u largua nga vendngjarja. I arrestuari është Cuf Behi.
Sipas veprimeve të para hetimore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës, ku i riu kishte shkuar me makinë për të marrë bashkëjetuesen e tij.
Të lidhura
None found
Në ato momente kanë dalë familjarët e saj dhe, për arsye që lidhen me marrëdhëniet familjare, 28-vjeçari dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses, shtetasen K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia bëri të ditur se operacioni i koduar “Reagimi” u finalizua me kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit C. B., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë dhe me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndërmorën veprimet që çuan në përfundimin e operacionit policor të koduar “Reagimi”.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve intensive të Policisë, 28-vjeçari u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
E dëmtuara është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të marrë ndihmë mjekësore.
Si provë materiale, Policia sekuestroi automjetin që dyshohet se u përdor në këtë ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
