Kosova ka nisur përpjekjet për ta bindur Arnis Ademin, mbrojtësin e talentuar të Fiorentinës, që t’i bashkohet përfaqësueses. Futbollisti e konfirmoi këtë në një intervistë për Telegrafin.
19-vjeçari mund të jetë një tjetër futbollist nga Kosova që debuton së shpejti në Serie A. Fiorentina e ka përfshirë në listën e të ftuarve për dy ndeshjet e fundit të kampionatit italian, ndonëse ai nuk ka luajtur ende asnjë minutë.
Të lidhura
None found
Në bisedën e gjatë me Telegrafin, Ademi tha se është i motivuar të tregojë vlerat e tij dhe se e vlerëson besimin që po i shfaq klubi italian.
“Kam ende shumë rrugë përpara dhe besoj se asgjë nuk ndodh rastësisht. Gjithmonë jam përpjekur të punoj fort e të ruaj përqendrimin. Ftesa tregon se klubi ka interes dhe vlerësim për mua, gjë që më shtyn të punoj edhe më shumë, që të jem i përgatitur kur të vijë koha ime”.
Ademi tregoi edhe rrethanat e kalimit te Fiorentina. Në garë për të ishte edhe Atalanta, por në fund ai u bind nga projekti i trajnerit Paolo Vanoli.
“Fiorentina dhe Atalanta kishin shfaqur interes disa muaj para transferimit. Të dyja skuadrat më kishin vëzhguar në disa ndeshje me Kombëtaren U19 të Zvicrës. Në verën e vitit 2025 pata mundësinë të kaloja te Atalanta, por në fund u arrit marrëveshja për vlerën e transferimit me Young Boys”.
“Më pas Fiorentina këmbënguli dhe tregoi interes të madh për të më sjellë në klub. Pas bisedimeve të shumta me menaxherët, vendosëm të pranonim projektin e Fiorentinës. Ishte një zgjedhje e rëndësishme për mua dhe karrierën time, dhe e pamë si një mundësi për të vazhduar përparimin tim si futbollist”.
“Një nga synimet e projektit të Fiorentinës ishte që të integrohesha sa më shpejt me ekipin e parë. E kuptoja se kjo varej shumë nga puna ime, përkushtimi dhe ajo që do të tregoja gjatë ndeshjeve e stërvitjeve”.
Ademi po stërvitet rregullisht me ekipin e parë të Fiorentinës dhe po fiton përvojë pranë futbollistëve të njohur, mes tyre edhe ish-portieri i Manchester Unitedit, David de Gea.
“Për fat të keq, sezoni nuk nisi ashtu siç shpresoja, pasi pësova një dëmtim muskulor që ma bëri më të vështirë përshtatjen me klubin e ri. Sidoqoftë, vazhdova të punoja me durim e të jepja gjithçka, prandaj besoj se e fitova mundësinë për t’u bashkuar me ekipin e parë”.
“Stërvitjet me skuadrën e parë zhvillohen me ritëm dhe intensitet krejtësisht të ndryshëm. Është përvojë shumë e vlefshme për mua dhe më motivon edhe më tepër të punoj çdo ditë, të përmirësohem e të jem gati kur të më jepet mundësia”.
I pyetur për mundësinë e debutimit në Serie A, mbrojtësi u shpreh se do të vazhdojë të punojë me durim për ta arritur këtë synim.
“Më takon të jap më të mirën çdo ditë dhe të jem i gatshëm ta shfrytëzoj rastin kur të më jepet. Debutimi është në dorën e trajnerit dhe unë e respektoj këtë. Puna ime është të qëndroj i përqendruar, të përmirësohem dhe ta ndihmoj skuadrën sa herë të kem mundësi. Sigurisht, do të isha shumë i lumtur po të debutoja”.
“Për këtë vit kam një objektiv të qartë: të bëhem pjesë sa më e integruar e ekipit të parë dhe të debutoj. Po punoj fort për t’i realizuar këto synime dhe shpresoj që përkushtimi im të shpërblehet. E kuptoj se duhet durim, por jam i motivuar dhe do të jap maksimumin”.
Kosova, Shqipëria apo Zvicra janë tri përfaqësueset mes të cilave Ademi mund të zgjedhë se cilën do të përfaqësojë në nivel ndërkombëtar, si shumë futbollistë të tjerë të diasporës.
Mbrojtësi i tha Telegrafit se është mirënjohës ndaj Zvicrës, por se ndien një lidhje të veçantë emocionale edhe me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Është e vërtetë se kam kaluar të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës, përveç grumbullimit të fundit, të cilin e humba për shkak të lëndimit”.
“Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për mua, sepse të përfaqësosh një kombëtare është nder dhe përgjegjësi e madhe. E respektoj shumë Zvicrën, vendin ku jam rritur dhe ku m’u dha mundësia të zhvillohem si futbollist. Por kam edhe lidhje të veçanta emocionale me Kosovën dhe Shqipërinë, të cilat i ndiej shumë pranë”.
“Përqendrimi im është te puna, përmirësimi i përditshëm dhe dhënia e maksimumit. Tani jam plotësisht i fokusuar te klubi. Mendoj se është herët të flitet për një vendim përfundimtar. Do t’i shqyrtoj me kujdes mundësitë dhe, kur të vijë koha, do të zgjedh atë që e ndiej si të duhurën”.
Ademi konfirmoi se është kontaktuar nga Kosova përmes menaxherit Bajram Shala. Ai tha se biseda e ka gëzuar gjithë familjen.
“Po, na kontaktoi z. Shala dhe shprehu interesimin për Kosovën A, pra ekipin e parë. Jemi shumë mirënjohës për bisedën e ngrohtë dhe vëllazërore, e cila na gëzoi si familje”.
“Aktualisht jam i përqendruar te Fiorentina. Po mundohem të përshtatem sa më mirë me klubin, të vazhdoj zhvillimin dhe të punoj çdo ditë për të shfrytëzuar rastet që më jepen”.
“Zgjedhja e kombëtares është shumë e rëndësishme, por gjithçka duhet të ndodhë në kohën e vet. Dua të merrem me punën në klub, të fitoj sa më shumë përvojë dhe të përparoj me hapa të sigurt në karrierë. Kur të vijë momenti i përshtatshëm, do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë”.





