Ambasada amerikane thirrje krerëve të shtetit për masakrën në Elbasan: Hetoni!

Ambasada amerikane ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku mbeti i vrarë një aktivist i PS-së Pjerin Xhuvani.

Me një postim në rrjetin social Facebook, ambasada kërkon nga figurat kryesore në vend zbardhjen e  ngjarjes

Postimi i Plotë

Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen.

Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër.