Aksidentet rrugore u ulën me 6.3% në mars, sjellja e shoferëve shkaku kryesor

Gjatë muajit mars 2026, 86,5% e aksidenteve rrugore, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, thuhet në publikimin e INSTAT.

Aksidentet rrugore shënuan ulje edhe në muajin e tretë të vitit me një total prej 89 rastesh. Të dhënat zyrtare tregojnë se shkaku kryesor i aksidenteve vijon të mbetet sjellja e shoferëve në timon.

Të lidhura

None found

“Në muajin mars 2026 janë regjistruar 89 aksidente rrugore, në të cilat 117 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë periudhës janar-mars 2026, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 6,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë muajit mars 2026, 86,5% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve”, thuhet në publikimin e INSTAT.

I njëjti vlerëson se të rinjtë janë edhe ata që mbajë peshën më të lartë në totalin e rasteve të aksidenteve të raportuara.

Konkretisht grupmosha 25-34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 32,6% të numrit total të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë.

INSTAT vlerëson se numri më i lartë i aksidenteve rrugore, sipas ditëve të javës, është shënuar ditën e enjte me 18,0%, ndërsa numri më i ulët është regjistruar ditën e dielë me 9,0%.

Ndërkohë numri më i lartë i aksidenteve rrugore është regjistruar përgjatë harkut kohor 17:00-19:00, duke përbërë 23,6% të numrit total të aksidenteve rrugore./MONITOR


Shtuar 28.04.2026 09:09