Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, është shfaqur sërish publikisht përmes një interviste në emisionin “Çim Peka Live”.
Gjatë kësaj daljeje, ai sulmoi qeverinë Rama dhe ngriti akuza për mënyrën se si, sipas tij, është deformuar procesi i Vettingut në drejtësi. Ahmetaj përmendi motrën e Belinda Ballukut, Pamela Qirokon dhe dy persona të tjerë.
Të lidhura
None found
“Nuk do t’i përfshija të gjithë prokurorët në të njëjtin grup. Nuk pretendoj ndonjë elegancë të veçantë në denoncimet e mia, por ato i kam bërë duke u mbështetur te shumë dokumente, qytetarë dhe administratorë. Do të ketë gjyqtarë e prokurorë që do të japin prova bindëse, sepse priten shumë zhvillime dhe nuk do ta lejojmë që gjithçka të shndërrohet në një dominim të Zotit. Ata nuk do ta trajtojnë si një çështje të zakonshme, por si një mision kombëtar.
Deformimi i Vettingut nisi me këshilltaren e Kryeministrit, motrën e plaçkitëses, Belinda Ballukut, dhe vajzën e një miku të vjetër të kreut të organizatës. Kam sjellë një shembull. Ky është nepotizëm i drejtpërdrejtë politik dhe familjar.
Shpresoj dhe besoj te SHBA-ja dhe vendet anëtare të BE-së. Kam besim edhe te Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese se do të rikthejnë rendin kushtetues në drejtësi. Për ta, unë do të qëndroja 36 muaj në paraburgim. Familja ime do të numëronte ditët e burgut, sepse kështu dëshironte kreu i organizatës.
Ndaj meje janë ndërmarrë veprime gjenocidi. Familja ime është shkatërruar, ndërsa pasuria dhe pronat më janë bllokuar. Nuk mund t’i fsheh vuajtjet që ka përjetuar familja ime. Këto janë dhe do të jenë vepra të kreut të organizatës dhe plaçkitëses, të Erion Veliajt, si edhe të një ish-ministri për të cilin do të rezervohem.
Pres ditën kur të kthehem në Shqipëri dhe të përballem me një drejtësi të çliruar. I lutem Zotit të më mbajë gjallë që të përballem me intrigantët”, deklaroi Ahmetaj.
