5 ditë nga zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, kandidatët ashpërsojnë retorikën

Më pak se një javë deri në zgjedhje, partitë dhe kandidatët për kryetarë i vazhdojnë aktivitetet parazgjedhore në përpjekje t’i fitojnë votat e qytetarëve. Në premtimet parazgjedhore me transport falas, asfaltim të rrugëve, rikonstruktime dhe ndërtim të kopshteve, shkollave, sallave sportive, ndërsa paralajmërohet edhe zhvillimi i turizmit eko dhe rural, digjitalizim të shërbimeve që i ofrojnë komunat dhe transparencë të plotë ndaj qytetarëve.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në tubimin e mbrëmshëm qendror në Karposh tha se udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së është vendosur si armik i brendshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe popullit. Dhe derisa kjo parti nuk reformohet- asnjëherë nuk do të lejojmë të kthehet në pushtet. Ndërsa ne vazhdojmë bashkë me ju përpara, me më të mirën.

“Përcaktimet e tyre për ‘të ardhme të re’ nuk janë gjë tjetër veçse dëshirë e kotë për pushtet, për kthimin e regjimit të vjetër në të cilën ata do të vjedhin, ndërsa të tjerët do të përgjigjen. Nuk janë shumë larg ato ngjarje nga regjimi i Gruevskit në të cilat ishin pjesë edhe Hristijan Mickoski dhe Aleksandar Nikollovski: për mendim të lirë burgosën gazetarë dhe mbyllën media, rrahën studentë, larguan nga puna; zhvatnin kompani, ndërsa atyre që nuk e lejuan këtë – ju vendosën dry dyerve, inskenonin konflikte ndëretnike, minuan bashkëjetesën dhe e mbajtën shtetin në izolim, që të mund të vidhnin miliona para të popullit për veten. Gënjyen për ndonjë federalizim dhe kantonizim, për kinse ndonjë tradhti me Marrëveshjen e Prespës ose Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë. Edhe sot janë kreatorët kryesorë të lajmeve të rreme të cilët minojnë përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Zaevi.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar sot tubimet zgjedhore në Komunën e Çairit me prezantimin e kandidatit të saj Visar Ganiu, listën e këshilltarëve për Qytetin e Shkupit të kryesuar nga Ardijan Muça, listën e këshilltarëve komunal në krye me Sermine Purrinin si dhe programin e punës për mandatin e ardhshëm të bazuar në përbetimet e agjendës së blertë.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka falënderuar banorët e Çairit për përkrahjen dhe mundësinë që u japin kuadrove cilësor të saj në përmbushjen e misionit për më tepër zhvillim dhe për jetë cilësor si imperativ të kohës. Ai poashtu elaboroi edhe për rëndësinë e zbatimit të agjendës së blertë si mision në përputhje të plotë me vlerat e larta evropiane.

“Bashkimi Demokratik për Integrim merr përsipër të jetësojë e materializojë tanimë një kapitull të hapur për 10 vitet e ardhshme. Ka pasur që s’kanë besuar për shumë çështje që kemi hapur. Ju kujtohet s’është larg shumë kryeministri shqiptar. Skepticizëm, bëhet s’bëhet. Bëhet. Nuk ka gjë që nuk bëhet po filloi nga zemra. Po thyhen barrikada, siç u thyen barrikadë pas barrikade, mur pas muri, ministër të mbrojtjes po, ministër të brendshëm po, kryetar kuvendi po, ministër të jashtëm po, zëvendëskryeministër i parë po. Barrikada e radhës kryetarin e shtetit edhe atë. Pse duhet të votohet Bashkimi Demokratik për Integrim? Pikërisht për shkak të investimit që ka bërë në kuadër profesionistësh. Pse duhet të votohet BDI? Sepse del me agjendë, me agjendë që e pasuron, që e begaton dhe që e afirmon vlerën evropiane dhe na afron më afër Evropës”, potencoi kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Në këto zgjedhje vendoset për të ardhmen. Për këtë duhet dalje masovike. Nëse ka dalje masive, pushteti është i pafuqishëm dhe nuk mund të blejë aq vota, ka thënë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski në tubimin parazgjedhor në Krivogashtani.

Ka paralajmëruar se do të ketë përgjegjësi për gjithë ata që kanë bërë krim dhe ka premtuar më shumë se 200 milionë euro në vit për bujqit. Ka theksuar se populli është gjithnjë e më i varfër dhe se gjysmë milionë qytetarë jetojnë me 150 denarë në ditë.

“Pse kjo qeveri nuk gjeti mundësi të realizojë atë që premtoi për prodhuesit e duhanit dhe sot përsëri gënjen. Kjo po ndodhë tani, ndërsa pas 17 tetorit pason realitet i ri politik dhe qeveri e VMRO-DPMNE-së se si duhet punuar. Për bujqit obligohemi se më shumë se 200 milionë euro në vit qeveria e ardhshme do t’i destinojë për bujqit”, ka thënë Mickoski.

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët, Vullnet Murseli sot ka pritur në takim përfaqësueset e Shoqatës joqeveritare “CORTEX”-Tetovë Sema Halili dhe Nebahat Imeri. Ata nga afër e kanë njoftuar dhe prezantuar Analizën e vlerësimit të nevojave të grave viktima të dhunës familjare.

Kjo analizë është përgatitur në kuadër të projektit “Institucionalizimi i shërbimeve cilësore për rehabilitimin dhe integrimin e grave viktima të dhunës” në zbatimin e rrjetit Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje të mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim i cili implementohet në nivel lokal nga OJQ CORTEX-Tetovë.

“Në takim bashkëbiseduam për rekomandimet dhe përfundimet nga analiza, ku OJQ Cortex më prezantoi situatën reale të problemeve me të cilat përballen gratë viktima të dhunës, veçanërisht në periudhën kur ato vendosin të largohen nga partneri i dhunshëm.  Në mandatin e qeverisjes sime me Komunën e Tetovës do të ketë buxhet të posaçëm për këtë kategori të ndjeshme sociale si dhe në bashkëpunim me institucionet tjera do ta ndihmojnë procedurën e ndërtimit të një qendre strehimi për femrat të cilat janë viktima të dhunës në familje dhe do t’ju sigurojmë mbështetje psikologjike dhe ndihmë juridike pa pagesë!”, thuhet në kumtesë.

Kryetari i Lëvizjes BESA, njëherësh kandidat për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami së bashku me këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e tij organizuan debat publik me temë “Arsim cilësor, mundësi e barabartë për të gjithë”.

Duke shpalosur ofertën zgjedhore, njëkohësisht debatuan me të ftuarit: Prof. Florim Ajdini, prof. Besa Kadriu, prof. Bekim Hoxha, prof. Hatije Etemi, prof. Ilvije Jashari, prof. Jetmir Shabani, me të cilët konstatuan se kryetari i ardhshëm i komunës së Tetovës duhet të ketë prioritet problemet bazike me të cilat ballafaqohet arsimi fillor dhe i mesëm.

“Bilall Kasami do të angazhohet për pavarësi të plotë dhe depolitizim të skajshëm të institucioneve të arsimit të mesëm dhe fillor duke pasur prioritet rritjen e cilësisë, instalimin e praktikave pozitive të BE-së. Prioritet do të jetë tërheqja e fondeve të BE, arsim inkluziv pa dallime, salla sporti për të gjitha shkollat fillore, pishinë olimpike për nevojat e shkollave të qytetit, zhvillimin e sporteve të ndryshme dhe zhvillimin e sporteve dimërore”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes Besa./21 TV