ZYRTARE/ Atdhe Nuhiu jep dorëheqje nga kombëtarja e Kosovës

Atdhe Nuhiu ka njoftuar se është tërhequr nga Kombëtarja e Kosovës.

Nuhiu përmes një postimi në rrjetin e tij social, Instagram, ka bërë të ditur se është tërhequr nga Kombëtarja e Kosovës.

Sulmuesi shtatëlartë theksoi se ky është një vendim i vështirë por që duhej marrë. Ai ka kujtuar momentet fantastike me Kombëtaren duke theksuar se ishin pesë vite fantastike.

“Të dashur adhurues të Kombëtares së Kosovës , të dashur bashkëkombas të mi. Po u drejtohem sot, për t’ju njoftuar se sot kam marrë vendimin më të vështirë në karrierën time si profesionist në futboll”, tha ai.

“Kam vendosur të ndaj me ju lajmin e tërheqjes sime nga Kombëtarja e Republikës së Kosovës , një ekipi me të cilin kam kujtime të jashtëzakonshme dhe momente të paharrueshme , gjatë rrugëtimit 4 – vjeçar”, shtoi ai.

“Më kujtohet takimi i parë me udhëheqësit e Kombëtares së Kosovës kur pranova me krenari të luaj për këtë kombëtare . Gjithmonë do të jem falënderues për kryesinë e Kombëtares , të gjithë bashkëlojtarët e mi , kryetarin Agim Ademin , nga i cili kishim mbështetjen maksimale edhe në kushtet më të vështira , ish–trajnerin Albert Bunjaku me të cilin bashkëpunova nga dita e parë në kombëtare dhe qëllimin e vetëm e kishim të punojmë në mënyrë sa më profesionale e të ndërtojmë një ekip apo një kombëtare që e ëndërruan shumë gjenerata para nesh”, tha Nuhiu.

“Sot Kombëtarja e Kosovës ka një super ekip dhe shpresë për lavdi e suksese në arenë ndërkombëtare, madje duke dëshmuar se mund të konkurrojmë me kombëtare si Anglia, Spanja etj. Dua të falënderoj, të gjithë fansat e kombëtares, të cilët kurrë nuk na lanë vet, në çdo ndeshje, në çdo udhëtim dhe në çdo moment. Ju përqafoj të gjithëve dhe jeni në zemrën time përgjithmonë”, përfundoi Atdhe Nuhiu.


Shtuar 16.05.2021 15:57