Një person tjetër është arrestuar në komunën e Zubin Potokut nën dyshimin për krime lufte, gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Në komunikatën e përbashkët të këtyre institucioneve bëhet e ditur se i ndaluari, i identifikuar me inicialet J.R., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës, bazuar në urdhrin e Prokurorisë Speciale dhe në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar për këtë rast.
Sipas autoriteteve, arrestimi erdhi pas një pune të ngjeshur hetimore të kryer nga hetuesit policorë së bashku me Prokurorinë Speciale. Ky angazhim, siç theksohet në njoftim, është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se, në lidhje me rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok, do të vijojnë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, ndërsa publiku do të informohet me kohë.
