Avokati Tomë Gashi ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka udhëhequr me shumë sukses procesin që çoi në zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës.
Të lidhura
None found
Gjatë një deklarimi në FIVE, Gashi theksoi se kandidatura e Shiroka-Pulës, e cila më herët kishte shërbyer si deputete dhe ministre e PDK-së, e vendosi këtë subjekt politik në një pozitë të ndërlikuar.
Sipas tij, PDK-ja do ta kishte të pamundur t’ua justifikonte votuesve një refuzim të kësaj kandidature, pasi një vendim i tillë do ta çonte vendin automatikisht drejt zgjedhjeve rreth muajit nëntor.
“Albin Kurti e zhvilloi këtë proces në mënyrë brilante. E dimë se nata kur u zgjodh presidentja zgjati pak më shumë se dy orë. Pasi kandidatët e propozuar nga Kurti nuk pranuan, situata arriti deri aty sa komunikimi të bëhej përmes gazetarëve, sepse nuk kishte komunikim të drejtpërdrejtë. Në fund, ai propozoi ish-deputeten dhe ish-ministren e PDK-së, Justina Shiroka-Pulën. Nëse PDK-ja, në mënyrë hipnotike, do ta refuzonte edhe këtë propozim, besoj se nuk do të kishte çfarë t’u shpjegonte votuesve të saj. Në atë rast, zgjedhjet do të zhvilloheshin diku kah nëntori dhe PDK-ja do të përballej me një situatë shumë të vështirë”, deklaroi Gashi.






