Seanca për sulmin në kanalin Ibër-Lepenci shtyhet për shkak të mungesës së prokurorit, gjyqtari del në pension

Seanca gjyqësore ndaj tre personave të akuzuar për sulmin në kanalin Ibër-Lepenci nuk u zhvillua, pasi prokurori i çështjes, Bekim Kodraliu, mungoi. Në vend të tij, në seancë ishte kolegu Armend Zeneli.

Të lidhura

None found

Prokurori Zeneli shpjegoi se Kodraliu ishte përballur me një urgjencë dhe nuk kishte mundur të paraqitej, ndaj kërkoi që seanca të caktohej në një ditë tjetër.

“Prokurori ka pasur një urgjencë. Propozoj që seanca e sotme të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër”, deklaroi ai.

Mbrojtësit e të akuzuarve e kundërshtuan kërkesën e prokurorisë. Megjithatë, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, e miratoi propozimin e prokurorit Zeneli.

Data e seancës së radhës nuk u përcaktua. Arsyeja është se gjyqtari Ismaili do të pensionohet më 10 nëntor dhe, për këtë shkak, nuk do të mund ta vazhdojë më detyrën e tij profesionale.

“Trupi gjykues pas këshillimit merr aktvendim: aprovohet propozimi i prokurorit. Seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta caktohet në kohë të pacaktuar. Arsyeja pse nuk është vendosur afati është që unë më 10 nëntor e përfundoj karrierën time, pensionohem. Për caktim do të njoftoheni me kohë”, tha Ismaili.


Shtuar më 19.10.2026 16:06