Agim Rexhepi, ekspert i sigurisë dhe ish-zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës, ka folur për përvojën e tij në veriun e vendit, ndërsa ka vlerësuar se gjendja e sigurisë atje ka ndryshuar rrënjësisht gjatë viteve.
Të lidhura
None found
Ai ka treguar se në prill të vitit 2016 ishte angazhuar në Njësinë e Krimeve Ekonomike. Sipas Rexhepit, ajo ishte një nga periudhat më të ndjeshme për sigurinë e Kosovës dhe karriera e tij atje ishte shoqëruar me shumë sfida.

Duke krahasuar realitetin e sotëm me atë të mëparshëm, Rexhepi e ka përshkruar dallimin si kalimin nga një natë pa hënë në një ditë të kthjellët pranverore. Ai ka deklaruar se, deri në ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, veriu i ngjante më shumë Serbisë sesa vetë territorit serb. Megjithëse tani rrethanat janë ndryshe, sipas tij, serbët vazhdojnë të ndihen të frikësuar nga strukturat që dikur i terrorizonin.
Rexhepi ka folur gjithashtu për trysninë që, sipas tij, strukturat ilegale ushtronin ndaj qytetarëve në veri të Kosovës. Ai ka thënë se sapo dëgjohej sirena, të gjithë detyroheshin të dilnin në rrugë, pasi në të kundërt u rrezikohej jeta.
I pyetur nëse Policia e Kosovës mund ta vendosë kontrollin e plotë në veri pa bërë kompromis me strukturat ilegale, ai është përgjigjur pozitivisht. Rexhepi ka theksuar se policia kujdeset njësoj për të gjithë qytetarët dhe se, ndonëse kriminelë ka kudo, shteti duhet të jetë më i fuqishëm se krimi, por edhe më i drejtë.
Ai ka shprehur gatishmërinë për të vijuar kontributin në sigurinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë detyrim ndaj Atdheut dhe amanet të atyre që kanë rënë për këtë tokë. Rexhepi ka thënë se do ta bënte këtë pa asnjë hezitim.
Duke rikujtuar angazhimin e tij si instruktor në Akademinë Policore, Rexhepi u ka kërkuar pjesëtarëve të rinj të Policisë së Kosovës të tregojnë profesionalizëm dhe përkushtim. Sipas tij, ata duhet ta duan ligjin dhe Kosovën, të qëndrojnë vigjilentë dhe ta mbrojnë dinjitetin. Ai ka përfunduar duke thënë se veriu nuk është vend për frikacakë, por për njerëz që shërbejnë me shpirt dhe jo thjesht sipas orarit.
