Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur fajtor të miturin A.O. dhe e ka dënuar me nëntë vjet burgim për dy vepra penale, ndër të cilat edhe vrasjen e rëndë.
Të lidhura
None found
Ngjarja për të cilën është dhënë dënimi ka ndodhur më 14 qershor 2026 në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit. Sipas aktgjykimit, A.O., në bashkëkryerje me vëllain e tij, Sh.O., ka sulmuar me thikë dy persona.
Gjatë përleshjes, i mituri e ka goditur një herë në gjoks viktimën A.O. Për shkak të plagëve të rënda, ajo është dërguar në spital pa shenja jete, ku edhe është konstatuar vdekja.
Personi tjetër i sulmuar, I.O., ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Trupi gjykues ka gjetur se A.O. ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”, të përcaktuar në nenin 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1.
Dënimit prej nëntë vjetësh do t’i zbritet edhe periudha që i mituri ka kaluar në paraburgim. Po ashtu, masa e paraburgimit ndaj tij është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Në seancën e mbajtur më 18 shtator, A.O. ka deklaruar se e pranon përgjegjësinë dhe fajësinë për veprat që i janë atribuuar.
Gjykata ka vlerësuar se ai e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të përgjegjësisë, ndërsa deklarimi është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësin.
Aktgjykimi i plotë, i shkruar dhe i arsyetuar, do t’u dorëzohet palëve. Secila palë që nuk është e kënaqur me vendimin mund të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Sipas Gjykatës Themelore në Prizren, lënda ndaj dy të dyshuarve të tjerë, Sh.O. dhe A.O., vazhdon të jetë në fazën e procedurës paraprake/hetimore pranë Departamentit të Krimeve të Rënda.
