Para mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, deputeti i zgjedhur Anton Quni deklaroi se kjo parti tregohet e përmbajtur ndaj situatave që mund të çojnë në incidente.
Të lidhura
None found
Quni tha se kryetari pritet t’i informojë për gjendjen aktuale, ndërsa gjatë takimit do të shkëmbehen mendime dhe vlerësime, si dhe do të paraqiten këshilla, ide e propozime. Sipas tij, pjesëmarrësit do ta dëgjojnë me vëmendje njëri-tjetrin.
Duke folur për pjesëmarrjen në Kuvend, ai theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës shmang situatat ku mund të krijohen incidente apo probleme të tjera. Quni bëri thirrje për qetësi dhe që, përmes arsyeshmërisë, racionalitetit dhe dëgjimit të ndërsjellë, të gjendet zgjidhje për të gjitha problemet.
I pyetur nëse kohët e fundit ishte takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Quni iu referua deklarimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për këtë çështje.
Ai tha se Abdixhiku tashmë ka folur për bisedën e fundit me Kurtin, e cila nuk ka sjellë ndonjë përfundim pozitiv. Sipas Qunit, nuk po shihen shenja se mund të konkretizohet ndonjë marrëveshje, ndaj LDK-ja do t’i shqyrtojë hapat e mëtejmë.
Sa i përket thirrjes së seancës konstituive dhe bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare, Quni vlerësoi se institucionet duhet të krijohen sa më shpejt.
Ai konfirmoi se seanca konstituive do të duhej të mbahej sa më parë, duke shtuar se LDK-ja është e interesuar të bashkëpunojë me të gjithë spektrin politik, në mënyrë që institucionet e Republikës së Kosovës të zyrtarizohen dhe të ngrihen pa vonesa.
