Në një mbledhje të zhvilluar në formë elektronike, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka marrë dy vendime që kanë të bëjnë me menaxhimin e financave publike dhe trajtimin e pasurisë së konfiskuar.
Gjatë kësaj mbledhjeje, është miratuar Raporti i Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në subjektet e sektorit publik për vitin 2025.
Të lidhura
None found
Po në të njëjtën mbledhje, ekzekutivi ka dhënë miratimin edhe për autorizimin e Ministrisë së Financave, me qëllim që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për hapjen e një llogarie të veçantë brenda Llogarisë së Vetme të Thesarit (LlVTH), e cila do të mbajë emrin “Fondi i Konfiskimit”.
Në bazë të këtij vendimi, kjo llogari do të përdoret vetëm për pranimin dhe regjistrimin e të hyrave që vijnë nga konfiskimi i pasurisë, kur kjo është përcaktuar me vendime gjyqësore të formës së prerë.
Sipas Qeverisë, themelimi i kësaj llogarie ka për qëllim që të mundësojë një administrim më të rregullt dhe më transparent të mjeteve financiare që sigurohen nga konfiskimi i pasurisë.
