Një ngjarje tragjike është regjistruar mëngjesin e sotëm pranë pikës kufitare në Vërmicë, në Morinë, ku një efektiv i Policisë së Kosovës ka humbur jetën pasi u godit nga një automjet rreth orës 05:40.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, 59-vjeçari me inicialet R.G. ishte në patrullim në këmbë afër pikës kufitare në momentin e aksidentit. Teksa ka tentuar të kalojë rrugën, ai është përplasur nga një mjet që lëvizte në aksin Prizren–Vërmicë.
Të lidhura
None found
Si pasojë e goditjes, zyrtari policor ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor e Prizrenit dhe ekipi i emergjencës, të cilët kanë bërë edhe konfirmimin e vdekjes.
Pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është transportuar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, një shtetas i Shqipëria me inicialet D.D., është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prizren po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti.
