Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave mori miratimin e Qeverisë së Kosovës. Nisma synon të rrisë kapacitetet institucionale për parandalimin e fatkeqësive natyrore, përgatitjen ndaj tyre dhe reagimin në emergjenca të tjera.
Të lidhura
None found
Kryeministri Albin Kurti tha se synimi është rritja e sigurisë së qytetarëve, ofrimi më i shpejtë i ndihmës dhe bashkëpunimi më i mirë mes institucioneve përgjegjëse.
“Përmes këtij projektligji duam që qytetarët të mbrohen më mirë dhe të marrin ndihmë më shpejt kur përballen me fatkeqësi natyrore apo emergjenca të tjera”, deklaroi Kurti.
Sipas kryeministrit, qartësimi i përgjegjësive dhe financimit të agjencisë do të ndihmojë në përgatitjen e strukturave të shpëtimit e mbrojtjes dhe në koordinimin më efikas të tyre në mbarë vendin.
Kurti nënvizoi se reagimi në kohë është thelbësor, pasi, siç u shpreh, “në emergjenca çdo vonesë mund të ketë pasoja të pakthyeshme”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se projektligji krijon bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave si agjenci ekzekutive në kuadër të ministrisë që ai drejton.
Sveçla tha se nisma do të qartësojë kompetencat e institucioneve në menaxhimin e emergjencave dhe do të fuqizojë mekanizmat për vlerësimin e rreziqeve dhe uljen e tyre.
Dispozitat e projektligjit përfshijnë planifikimin e mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, ngritjen e sistemeve të monitorimit e paralajmërimit, si dhe hartimin e planit kombëtar të reagimit emergjent në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Ministri përmendi gjithashtu përgatitjen e strukturave të mbrojtjes dhe shpëtimit, mbajtjen e ushtrimeve, vlerësimin e gatishmërisë kombëtare, si dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e rezervave materiale për raste emergjente.
“Miratimi i projektligjit synon të vendosë një bazë të qartë ligjore për përgjegjësitë e agjencisë, të përmirësojë koordinimin mes strukturave përkatëse dhe të forcojë kapacitetet institucionale në parandalim, gatishmëri dhe reagim ndaj emergjencave”, tha Sveçla.
Institucionet synojnë që, përmes projektligjit, të ndërtojnë një sistem më të organizuar të menaxhimit të emergjencave, ku përgjegjësitë të jenë më të qarta dhe koordinimi më efektiv, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.






