Kuvendi i Kosovës miratoi këtë javë, në lexim të dytë, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në votim mori 66 vota pro, asnjë kundër dhe shtatë abstenime. Deputetët e Aleancës votuan në favor, ata të LDK-së abstenuan, kurse shumica e përfaqësuesve të PDK-së nuk morën pjesë në votim.
Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, e cilësoi miratimin si hap të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik e institucional. Ai megjithatë paralajmëroi se zbatimi mund të pengohet nga faktorë politikë dhe juridikë.
Të lidhura
None found
Sipas Qarries, miratimi i ligjit nuk mjafton për të siguruar suksesin e Byrosë. Ai vuri në dukje se reforma e thellë e drejtësisë dhe zbatimi i VETTING-ut janë të domosdoshëm për funksionimin efektiv të institucionit.

Analisti tha se projektligji u miratua pas një procesi të gjatë, ku pati kundërshtime politike dhe shqyrtime kushtetuese. Sipas tij, mënyra se si votuan partitë dëshmoi edhe një herë përçarjen mes subjekteve opozitare.
“Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme u përball me kundërshtime të ndryshme, të arsyeshme dhe të paarsyeshme, nga partitë opozitare. Krahas vlerësimit institucional e juridik të kushtetutshmërisë, ai kaloi edhe nëpër një debat të gjatë e të ashpër publik. Në këtë proces u dhanë dy aktgjykime nga Gjykata Kushtetuese. Vetëm pasi u përmbyll me sukses kjo odisejadë disavjeçare, u bë i mundur miratimi i projektligjit në lexim të dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, u shpreh Qarri.
Ai nënvizoi se votimi me 66 vota pro, asnjë kundër dhe shtatë abstenime shënon një zhvillim të rëndësishëm për krijimin e mekanizmave që do të verifikojnë dhe konfiskojnë pasuritë e pajustifikueshme.
“Me miratimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore, me 66 vota për, asnjë kundër dhe 7 abstenime, përcaktohen kompetencat e saj, organizimi dhe procedurat e verifikimit e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e mekanizmave institucionalë dhe hap rrugën për nisjen praktike të procedurave për konfiskim. Ai mundëson luftë më të suksesshme në terren dhe trajtim ligjor pa pengesa të pasurisë së krijuar përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar politik, ekonomik e institucional në vendin tonë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar qëndrimeve në Kuvend, Qarri tha se ato pasqyruan mungesën e unitetit mes partive opozitare. Ai përmendi gjithashtu 24 amendamentet që PDK-ja propozoi gjatë shqyrtimit, prej të cilave njëri u miratua.
“Megjithëse u punua gjatë për përmbajtjen e Projektligjit për Byronë Shtetërore të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Kundërligjshme, në Kuvend PDK-ja paraqiti 24 amendamente dhe një prej tyre u miratua. Në kushtet e përçarjeve të thella mes partive opozitare, kjo duket se ndikoi që partitë të mos votonin të gjitha pro. Rezultati tregoi sërish qëndrime të ndryshme: deputetët e Aleancës e mbështetën projektligjin, ata të LDK-së abstenuan, ndërsa shumica e deputetëve të PDK-së nuk morën pjesë në votim. PDK-ja, udhëheqja e së cilës mendohet se mund të preket më shumë nga projektligji, nuk mori pjesë në votim”, tha Qarri.
Ai vlerësoi se dallimet ngrenë shqetësime për gatishmërinë e partive që procedura të zbatohet plotësisht dhe që pasuritë e konstatuara si të pajustifikueshme të konfiskohen.
“Mospërputhjet mes partive ngrenë pikëpyetje të rëndësishme, jo vetëm për qëndrimet e tyre politike, por edhe për zbatimin e plotë të procedurës së konfiskimit. Mbetet të shihet nëse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të zhvillohet me rigorozitet dhe nëse pasuritë e paligjshme, të konstatuara zyrtarisht, do të konfiskohen pa vështirësi juridike e përplasje të forta politike.
“Edhe pse miratimi në Kuvend është thelbësor për të luftuar korrupsionin dhe për të konfiskuar pasuri të pajustifikueshme të krijuara përmes krimit të organizuar ekonomik e politik dhe formave të tjera kriminale, qëndrimet e ndryshme të partive japin një mesazh negativ. Ato tregojnë mungesë uniteti dhe ndarje më të thella brenda opozitës. Kjo shton shqetësimin se mund të ketë bllokada administrative, mosdhënie të të dhënave të sakta për keqpërdorimet, pengesa juridike apo edhe protesta politike opozitare që do të synonin të pengonin zbatimin e plotë dhe efektiv të projektligjit nga Byroja”, u shpreh ai.
Qarri paralajmëroi se zbatimi i ligjit mund të ndeshet me kundërshtime politike, kontestime gjyqësore dhe përdorim të mekanizmave juridikë për ta vështirësuar punën e Byrosë.
“Pengesa të mundshme mund të marrin formën e kontestimeve dhe obstruksioneve politike, kundërshtimeve të nxitura nga udhëzime partiake dhe sfidave gjyqësore, si edhe të përdorimit të mjeteve juridike për të vështirësuar zbatimin e ligjit.
“Duke pasur parasysh problemet e sistemit të drejtësisë në Kosovë, këto rreziqe nuk mund të përjashtohen. Prandaj, krahas zbatimit të projektligjit, duhet të nisë reformimi i thellë dhe rrënjësor i të gjitha hallkave dhe niveleve të sistemit gjyqësor e prokurorial në vend”, deklaroi Qarri.
Në mbyllje, analisti theksoi se miratimi i projektligjit përbën një hap institucional me rëndësi, por nuk siguron vetvetiu rezultatet e synuara kundër korrupsionit. Sipas tij, reforma në drejtësi dhe VETTING-u janë kushtet që Byroja të mund të veprojë me efektivitet dhe pa pengesa.
“Edhe pas miratimit në Kuvend, zbatimi praktik dhe i suksesshëm i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Kosovë nuk mund të garantohet pa VETTING-un themeltar të sistemit gjyqësor dhe prokurorial”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.







