Prishtina do të jetë sërish sot vendi i një proteste në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, ndërsa qytetarët dhe organizatorët vijojnë të kërkojnë drejtësi.
Tubimi do të nisë në orën 17:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti”.
Të lidhura
None found
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkon zbardhjen e plotë të rastit dhe marrjen e përgjegjësive për vrasjen e rëndë të ndodhur në Vitomiricë të Pejës.
Në njoftimin e tij, kolektivi thekson se të dielën bëhen shtatë ditë nga vrasja e Arlinda Zekajt, ndërsa protestat kanë vijuar prej pesë ditësh.
“Të dielën bëhen shtatë ditë nga dita kur Arlinda Zekaj u vra e pesë ditë që ne jemi në rrugë duke kërkuar drejtësi për të e për çdo grua të vrarë. Pesë ditë që me ngulm kërkojmë siguri dhe liri për çdo grua të gjallë. Kërkesat tona janë të qarta por shteti vazhdon të refuzojë të na dëgjojë.”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë derisa institucionet, të cilat sipas tyre dështuan në rastin e Arlinda Zekajt, të mbajnë përgjegjësi.
“Ne nuk zmbrapsemi dhe çdo ditë që çel do të na gjejë në sheshe e përballë institucioneve që e dështuan Arlindën e po vazhdojnë ta dështojnë çdo çikë e gru në Kosovë. Këtë të diel mos rrini në shtëpi, dilni e bashkohuni në protestë. Le ta çojmë amanetin e Arlindës në vend.”, thuhet më tej në njoftim.






