Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA, nuk kufizohen vetëm te rastet e publikuara deri tani. Deri më tani janë dhënë katër aktgjykime dënuese, ndërsa organet e drejtësisë po punojnë për të zbuluar një rrjet më të gjerë, i cili dyshohet se ka siguruar informacione të ndjeshme mbi institucionet e sigurisë dhe zhvillimet politike në Kosovë.
Të lidhura
None found
Sipas Prokurorisë, personat e përfshirë dyshohet se janë rekrutuar nga shërbimi sekret serb dhe kanë pasur detyra e kontakte të përcaktuara prej tij. Hetimet vijojnë edhe ndaj individëve të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n.
Kodraliu deklaron se gjatë dy viteve të fundit Prokuroria Speciale ka forcuar veprimtarinë kundër spiunazhit. Nga këto hetime, sipas tij, janë identifikuar persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e aktiviteteve të BIA-s në Kosovë.
Hetuesit dyshojnë se personat nën hetim kanë kërkuar të sigurojnë qasje në dokumente zyrtare dhe të dhëna konfidenciale. Në vëmendje kanë qenë gjithashtu informacione për institucionet e sigurisë, zyrtarët e Policisë Speciale, ish-eprorët e UÇK-së dhe aktorët politikë.
Një prej rasteve që lidhet me BIA-n serbe është sulmi terrorist në Ibër-Lepenc. Prokurori Kodraliu thotë se i dyshuari kryesor për këtë rast ka pasur lidhje me shërbimin sekret serb. Sipas Prokurorisë, janë siguruar prova shkencore, të dhëna mbi hyrje-daljet në Serbi, komunikime telefonike me zyrtarë të BIA-s dhe materiale të tjera që aktualisht po analizohen.
Ndër emrat e bërë publikë si bashkëpunëtorë të BIA-s është edhe Fatmir Sheholli. Prokurori Kodraliu konfirmon dyshimin se Sheholli u ka përcjellë ndihmë dhe informacione strukturave të shërbimit sekret serb, përkatësisht zyrtarit të BIA-s, Bojan Dimiq.
Prokuroria Speciale thekson se hetimet kundër spiunazhit do të vazhdojnë dhe se çdo person i dyshuar për bashkëpunim me BIA-n serbe do t’i nënshtrohet procesit hetimor. Qëllimi i deklaruar është parandalimi i çdo tentative që mund të cenojë sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.
