Vetëm rreth dy javë pas vizitës së saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e ngarkuara me detyrë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim të ri me drejtuesin e këtij institucioni, Blerim Isufajn, kësaj here në ambientet e ambasadës.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të përfaqësisë diplomatike amerikane, takimi u mbajt të enjten dhe në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit për përballimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së. Mes çështjeve të diskutuara ishin terrorizmi, trafikimi i drogës dhe migrantëve, krimet kibernetike, si dhe veprimtaria e organizatave kriminale transnacionale.
Të njëjtat tema ishin trajtuar pjesërisht edhe gjatë takimit të 11 shtatorit, i cili u zhvillua në zyrat e PSRK-së.
Gjatë atij takimi, sipas njoftimit të bërë publik, u diskutua për veprimtarinë e Prokurorisë Speciale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. PSRK-ja falënderoi Prattipatin dhe Ambasadën Amerikane për mbështetjen në hetimet e suksesshme ndaj organizatave kriminale të përfshira në krimin transnacional, si dhe për bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese amerikane në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Me këtë rast, në emër të Prokurorisë Speciale, Isufaj i shprehu mirënjohje Ambasadës së SHBA-së për përkrahjen e vazhdueshme në garantimin e pavarësisë së plotë të PSRK-së dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Ai gjithashtu i dorëzoi Prattipatit një plaketë.
Po më 11 shtator, Isufaj kishte pritur në zyrat e tij edhe ambasadorin e Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves.
Edhe në atë takim u theksua rëndësia e mbështetjes dhe vijimit të bashkëpunimit me autoritetet britanike. Isufaj e përshkroi Mbretërinë e Bashkuar si një nga partnerët kryesorë institucionalë të Prokurorisë Speciale.
