Gjashtë deputetë të LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin marrëveshjen e arritur mes kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, për kandidimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Të lidhura
None found
Ky qëndrim i deputetëve duket se ka rikthyer Abdixhikun dhe Kurtin në bisedime.
Raportohet se dy liderët janë takuar sërish pasditen e sotme në Kuvendin e Kosovës, ndërsa takimi ka nisur rreth orës 16:00.
Biseda e tyre është zhvilluar pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku Abdixhiku ka diskutuar me deputetët e partisë për qëndrimin që ata mbajnë ndaj kandidaturës së Sejdiut.
Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku deklaroi se kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president e çon Kosovën në mënyrë të pashmangshme drejt zgjedhjeve.
Mbetet për t’u parë nëse takimi i radhës mes Abdixhikut dhe Kurtit do të prodhojë një zgjidhje për krizën e krijuar, apo nëse Kosova do të përballet me zgjedhje të reja.
