Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka kundërshtuar nderimin e njësive ushtarake serbe, duke vlerësuar se një veprim i tillë e institucionalizon mohimin e krimeve të luftës dhe mbron pandëshkueshmërinë.
Të lidhura
None found
OVL-UÇK-ja deklaron se nderimi i këtyre njësive nuk mund të paraqitet si përkujtim, për sa kohë që Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura arkivat shtetërore dhe t’i fshehë dëshmitë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Një veprim i tillë përbën institucionalizim të mohimit dhe mbrojtje të pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagimin e organizatës.
Sipas OVL-UÇK-së, medaljet, dekoratat shtetërore dhe rishkrimi i rrëfimeve nuk mund ta mbulojnë të vërtetën lidhur me krimet e luftës.
Organizata kërkon që Beogradi të hapë arkivat ushtarake dhe policore, ndërsa e konsideron detyrim të domosdoshëm edhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
OVL-UÇK-ja nënvizon se Kosova nuk do të bëjë kompromis në përpjekjet e saj për të kërkuar të vërtetën dhe përgjegjësi për krimet e luftës.
