Makfire Kastrati ka kujtuar vajzën e saj, Diana Kastratin, me një postim në Facebook, ku ka shprehur dhimbjen për humbjen e saj dhe zhgënjimin ndaj institucioneve që, sipas saj, nuk e mbrojtën.
Ajo shkroi se ka 15 vjet, 6 muaj e 12 ditë pa Dianën dhe kritikoi mosveprimet institucionale që, sipas saj, i paraprinë vrasjes. Makfire Kastrati tha se vajza e saj kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por institucionet përgjegjëse nuk kishin marrë masat e nevojshme.
Të lidhura
None found
“15 vjet nuk u bë e mundur ta ndalonte vrasësin shteti”, shkroi ajo, duke pyetur se ku ndodheshin institucionet kur Diana kishte nevojë për mbrojtje. Nëna e saj shprehu zhgënjim edhe për mungesën e përgjegjësisë institucionale, pasi, sipas saj, për rastin e vajzës nuk është bërë mjaftueshëm.
Reagimin ajo e mbylli me fjalët: “Emri yt nuk harrohet kurrë, zemra e nënës, Diana, derisa të më mbulojë dheu i zi”.
Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra me armë zjarri më 18 maj 2011 në Prishtinë. Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar në qafë. I dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013, Diana kishte paraqitur më 17 janar 2011 padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre. Më pas, ajo ishte zhvendosur me vajzën te prindërit.
Pas kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana kërkoi më 26 prill të atij viti urdhër për mbrojtje emergjente në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Ligji në fuqi parashikonte që gjykata të vendoste brenda 24 orëve, por kërkesa nuk mori përgjigje. Diana u vra 22 ditë më vonë.
Mosveprimi i gjykatës u kthye më pas në objekt të një beteje të gjatë ligjore të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati. Më 3 nëntor, 15 vjet pas vrasjes së Dianës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj A.J.







