Maqedonci pret ambasadorin Huchet, synohet zgjerimi i partneritetit Kosovë-Francë në mbrojtje

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe suksese gjatë mandatit të tij.

Të lidhura

None found

Gjatë bisedës, sipas një njoftimi të publikuar nga Maqedonci në Facebook, është diskutuar për mënyrat e avancimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Francës në sektorin e mbrojtjes.

Ambasadori Huchet e ka uruar ministrin për mandatin e ri dhe ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në krijimin e kanaleve të reja të bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës.

Maqedonci ka deklaruar se Kosova synon të zgjerojë bashkëpunimin me Francën në drejtim të trajnimeve, arsimit ushtarak dhe industrisë së mbrojtjes.

Gjatë takimit, ministri e ka informuar ambasadorin edhe për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), zbatimin e Programit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse dhe përparimin në ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e municioneve.

Sipas Maqedoncit, Franca vazhdon të jetë një aleat dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Ai ka nënvizuar se synimi është thellimi i mëtejshëm i këtij partneriteti, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.


Shtuar më 19.10.2026 18:27