Komisioni do të zhvillojë takime me kryenegociatorin për integrim evropian, përfaqësues të BE-së dhe ministra. Liza Gashi ka propozuar gjithashtu shkëmbim përvojash me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Të lidhura
None found
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Lushaku, ka paraqitur programin e punës për muajt në vijim. Ai përfshin takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, raportime nga ministrat dhe diskutime mbi procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Gjatë tetorit, sipas agjendës, komisioni do të takohet me kryenegociatorin për integrim evropian, i emëruar nga Kryeministria. Në takim pritet të trajtohen zhvillimet e procesit dhe vizitat e tij të fundit në Bruksel.
“Do ta ftojmë këtu për të diskutuar proceset që po çohen përpara dhe takimet e fundit që ka zhvilluar në Bruksel”, tha Lushaku, duke folur për takimin me kryenegociatorin.
Për nëntorin janë paraparë takime me përfaqësues të BE-së, pritje të delegacioneve dhe bisedime të posaçme me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në dhjetor, komisioni synon të thërrasë ministra për raportim, si dhe të mbajë një takim plenar në kuadër të veprimtarive për integrimin evropian.
Lushaku ka sugjeruar që në këtë proces të angazhohen edhe organizatat joqeveritare, në mënyrë që ato të japin rekomandime për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“Propozoj të organizojmë edhe një takim të përbashkët me organizatat joqeveritare dhe të dëgjojmë rekomandimet e tyre për integrimin evropian”, u shpreh ajo.
Në mbledhje, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, propozoi që Kosova të shkëmbejë përvoja me Shqipërinë dhe Malin e Zi, të cilat janë vende të rajonit që po përparojnë në procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas Gashit, takimi me komisionet përkatëse të të dyja vendeve do të mundësonte diskutimin e përvojave dhe vështirësive që hasen në rrugën e integrimit evropian.
“Do të ishte mirë të dëgjonim perspektivën e Malit të Zi dhe Shqipërisë, dy vende që po ecin drejt BE-së, dhe të zhvillonim një takim pune në Prishtinë me komisionet përkatëse”, deklaroi Gashi.
Të gjithë anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane e mbështetën planin e punës.




