Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaroi se Grupi Parlamentar do të diskutojë dhe më pas do të marrë vendim nëse LDK-ja do t’u bashkohet veprimeve të PDK-së dhe Aleancës në Kuvendin e Kosovës për thirrjen e seancës konstituive.
Të lidhura
None found
Duke folur në kohën kur ligjvënësit e PDK-së dhe Aleancës po protestonin në sallën plenare me kërkesën për mbajtjen e kësaj seance, Zemaj e cilësoi të pajustifikueshme bllokadën institucionale.
“Është e panevojshme dhe e paarsyeshme pengesa ndaj konstituimit të Kuvendit apo funksionimit institucional. Një situatë e tillë shton tensionet, thellon polarizimin në shoqëri dhe i shkakton dëm demokracisë së Kosovës”, tha ai.
Zemaj shtoi se qëndrimi do të bëhet i ditur sapo Grupi Parlamentar të marrë një vendim politik. Ai përmendi se sot ishte edhe ditë e hapur për vizitat e bashkatdhetarëve, ndërsa sqaroi se pjesëmarrja politike lidhet me faktin se Kuvendi nuk po kontestohet. Në fund, ai i kërkoi drejtuesit të seancës, Avni Dehari, ta thërrasë seancën konstituive.
