Në akademinë përkujtimore të mbajtur me rastin e tre vjetorit të rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit gjatë një sulmi të grupit paramilitar serb, kryeministri Albin Kurti theksoi se ai agresion ishte një përpjekje e organizuar nga Serbia për të minuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Të lidhura
None found

Kurti vuri në dukje se për shumë vite veriu i vendit ishte konsideruar si një zonë e paqeverisur dhe epiqendër e krimit të organizuar, ku strukturat paralele dhe grupet kriminale kishin lulëzuar. Ai shtoi se ky realitet i papranueshëm duhej të ndryshonte, dhe se kalimi nga anomalia në normalitet u ndesh me rezistencën e strukturave kriminale të drejtuara nga Beogradi zyrtar.
Duke iu referuar përpjekjeve të Serbisë për të ruajtur ndikimin në veri, kryeministri deklaroi se as barrikadat, as sulmet ndaj institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, as dorëheqjet e orkestruara, as kërcënimet me avionë MIG dhe ushtri të gatshme për sulm nuk funksionuan. “Serbia e kuptoi se tashmë e ka humbur kontrollin dhe se prania e strukturave të saj brenda territorit të Republikës së Kosovës është eliminuar,” u shpreh ai.
Lidhur me ngjarjen e 24 shtatorit 2023, Kurti e cilësoi atë si një sulm paramilitar të mbështetur, financuar, trajnuar dhe drejtuar nga shteti serb, me qëllim imitimin e metodave hibride ruse të aneksimit të territorit. Ai theksoi se grupi terrorist i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, i pajisur me uniforma taktike ushtarake dhe armatim të Ushtrisë së Serbisë, sulmoi atë mëngjes një patrullë të Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku me një minë të aktivizuar nga distanca dhe duke plagosur zyrtarin policor Alban Rashiti.
Tri vjet pas këtij sulmi, kryeministri kujtoi se Radoiçiqi dhe anëtarët e tjerë të grupit terrorist vazhdojnë të strehohen në Serbi nën mbrojtjen e presidentit serb, dhe kërkoi që ata të përballen me drejtësinë në Kosovë për agresionin me përmasa ushtarake dhe vrasjen e Bunjakut. Ai shtoi se nuk do të ndalen derisa të arrihet drejtësia, duke e cilësuar Bunjakun si hero që ra në krye të detyrës duke mbrojtur shtetin dhe paqen.
Kurti nënvizoi se falë sakrificës së Afrim Bunjakut u bë e mundur shtrirja e sovranitetit në 17% të territorit të vendit, dhe se pas neutralizimit të sulmit paramilitar serb, për herë të parë filloi funksionimi i plotë i shtetit dhe institucioneve të tij në veri të Kosovës.

Në të njëjtën akademi përkujtimore, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kujtoi se në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës pasi hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë, por ajo që i priste nuk ishte një incident i zakonshëm policor, por një sulm terrorist i përgatitur nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë me eksploziv, automatikë të blinduar dhe sasi të mëdha municioni.
Haxhiu theksoi se institucionet e Kosovës kanë paraqitur prova se anëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi, dhe se synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë, por shkëputja e një pjese të territorit të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë, një qëllim që u konfirmua edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit në rastin Banjska.
Ajo rrëfeu se rreshteri Bunjaku, me 22 vjet përvojë në polici dhe 16 vjet si rreshter, nuk i la policët më të rinj të shkonin para tij kur u përballën me bllokadën. Në momentin e shpërthimit të mjetit eksploziv, Bunjaku dhe polici Alban Rashiti u plagosën, ndërsa nëntoger Mirsad Kryeziu e tërhoqi Afrimin nga vendi i plagosjes. Pavarësisht rënies së tij, plani për aneksimin e veriut dështoi falë guximit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës, e cila e mori situatën nën kontroll dhe pengoi grupin e armatosur të merrte territor në veri, përfundoi Haxhiu.
