Projekti PIAKOS ka përmbyllur aktivitetet me një ngjarje të titulluar “Nga e drejta në veprim”, ku u prezantuan rezultatet e arritura në fushën e regjistrimit të pronës.
Të lidhura
None found
Në aktivitet mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili vlerësoi ndikimin e projektit në rritjen e sigurisë juridike, mirëqenies dhe dinjitetit të familjeve përmes dokumentacionit të rregullt pronësor.
Kurti tha se regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve ka shënuar një rritje 300-fish brenda më pak se një dekade. Sipas tij, në vitin 2016 në të gjithë Kosovën ishin regjistruar rreth 100 prona në emër të të dy bashkëshortëve, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në rreth 31,000.
Ai theksoi se bashkëpunimi i Qeverisë me Qendrën për Avokim dhe Trajnime, ATRC, përmes programit PIAKOS, nuk është kufizuar vetëm në informim, por është shtrirë drejtpërdrejt te qytetarët në 16 komuna të Kosovës. Kurti veçoi kontributin e aktivistëve dhe tha se përfitues kryesorë kanë qenë gratë, të cilat kanë marrë mbështetje për rregullimin e dokumenteve pronësore, procedurat e trashëgimisë te noterët dhe shërbimet gjeodezike.
Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, deklaroi se e drejta e pronës nuk duhet parë vetëm si çështje dokumentesh, parcelash apo procedurash administrative. Sipas tij, ajo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e familjes, pavarësinë ekonomike të familjeve dhe grave, mundësitë e të rinjve, si dhe me dinjitetin dhe barazinë e qytetarëve.
Kaloshi tha se gratë, komunitetet jo shumicë dhe grupet e cenueshme vazhdojnë të hasin vështirësi në realizimin e të drejtave pronësore, veçanërisht për shkak të mungesës së informacionit. Për këtë arsye, ai nënvizoi se ATRC ka zhvilluar fushata informuese dhe vetëdijësuese.
Menaxherja e projektit PAKOS në ATRC, Odeta Noks, bëri të ditur se gjatë zbatimit trevjeçar të projektit janë mbështetur mbi 7 mijë familje në Kosovë. Ajo shtoi se në kuadër të projektit janë trajnuar më shumë se 600 zyrtarë për çështjet e të drejtave pronësore.
Noks tha se projekti kishte një buxhet prej 3.2 milionë dollarësh, të cilat u shpërndanë te organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset e ndryshme të Kosovës që morën pjesë në zbatimin e tij. Ajo bëri të ditur se në mesin e përfituesve ishin edhe përfaqësues të shoqatave të të verbërve dhe shurdhmemecëve të Kosovës.
Sipas saj, për 50% të familjeve përfituese është garantuar kuota gjinore, ndërsa më shumë se 50% e tyre kanë qenë gra. Gjatë projektit janë organizuar gjithashtu 1,800 aktivitete informuese.
Aktiviteti përmbyllës u shoqërua edhe me shfaqjen e dokumentarit “Bëje tënden. Regjistroje pronën”, i cili paraqiti funksionet, veprimtaritë, përfituesit dhe rezultatet e projektit.






