Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara mbetet një aleancë e veçantë dhe e qëndrueshme. Në një postim në Facebook, ai tha se bashkëpunimi me SHBA-në do të zgjerohet më tej në ekonomi, siguri dhe mbrojtje.
Kurti bëri të ditur se gjatë mandatit të kaluar janë shpenzuar afër gjysmë miliard euro për sisteme armatimi, duke e çuar partneritetin e Kosovës me SHBA-në në fushën e mbrojtjes në një nivel të paprecedentë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, pjesa më e madhe e këtyre prokurimeve është kryer përmes programeve Foreign Military Sales (FMS) dhe Direct Commercial Sales (DCS).
Ai njoftoi gjithashtu se Qeveria dhe Kuvendi kanë miratuar dërgimin e një kontingjenti të FSK-së në kuadër të forcës ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.
Gjatë takimit me delegacionin e “Atlantic Council 2026 Balkans Forward Fellows”, kryeministri në detyrë tha se ka ngritur edhe çështjen e zbulimit të varrezave masive në Zubin Potok.
Kurti u bëri sërish thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të shtojnë trysninë ndaj Serbisë, me qëllim deklasifikimin e dosjeve ushtarake të arkivuara dhe dorëzimin e informacioneve për këto varreza.
Postimi i plotë:
Aleanca dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbeten të veçantë dhe të palëkundur. Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë ato, duke u mbështetur në vlerat dhe orientimet që ndajmë.
Sot prita delegacionin e “Atlantic Council 2026 Balkans Forward Fellows”, me të cilin diskutuam për bashkëpunimin që po thellohet në ekonomi, siguri dhe mbrojtje.
Gjatë mandatit të kaluar investuam afër gjysmë miliard euro vetëm në sisteme armatimi, duke shënuar një nivel të paprecedentë të partneritetit në sektorin e mbrojtjes. Shumica e prokurimeve u realizua përmes programeve Foreign Military Sales (FMS) dhe Direct Commercial Sales (DCS).
Po ashtu, Qeveria dhe Kuvendi miratuan dislokimin e një kontingjenti të FSK-së si pjesë e forcës ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.
Në këtë takim ngrita edhe çështjen e zbulimit të varrezave masive në Zubin Potok dhe përsërita kërkesën ndaj partnerëve ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion më të madh mbi Serbinë për deklasifikimin e dosjeve ushtarake të arkivuara dhe për ofrimin e të dhënave që lidhen me këto varreza.
