Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me bashkatdhetarë, investitorë dhe përfaqësues të politikës amerikane.
Gjatë një mbrëmjeje të mbajtur në Westchester, u diskutua për mundësitë konkrete të investimeve amerikane në Kosovë, si dhe për rolin që mund të luajë mërgata në lehtësimin e këtyre investimeve.
Të lidhura
None found
Kurti tha se mbështetja e mërgatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e bashkatdhetarëve në mbarë botën ka qenë vendimtare ndër vite për mirëqenien e qytetarëve, fitoren e Kosovës në luftën për liri dhe përpjekjet për shtetndërtim.
Sipas tij, Republika e Kosovës, si një shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe me zhvillim të qëndrueshëm, tashmë ofron mundësi të mëdha për investime. Ai theksoi se bashkatdhetarët nuk janë më të detyruar të kontribuojnë vetëm përmes sakrificës, pasi mund të investojnë dhe të përfitojnë.
Takimi u organizua nga Data4X dhe Ed e Barbara Hammel në rezidencën e Richard Lukajt në Westchester. Në të morën pjesë bashkatdhetarë, investitorë dhe politikanë amerikanë, mes tyre edhe ish-kryetari i Hartfordit, Luke Bronin.
Gjatë këtij organizimi u shqyrtuan mënyrat konkrete për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë dhe kontributi lehtësues i mërgatës në këtë proces. Kurti nënvizoi se Republika e Kosovës është partnere ku investitorët mund të mbështeten dhe të gjejnë përkrahje.
