Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e 20 shtatorit në Sarandë, ku u vra në një atentat Artan Myrtar, Policia e Shtetit ka vendosur të kryejë një rivlerësim të plotë të situatës kriminale në qytet dhe të performancës së strukturave vendore të policisë.
Me anë të një njoftim, policia thotë se Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm.
Të lidhura
None found
Në fokus do të jetë edhe performanca e të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Sarandës, si dhe e efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Policia njofton se, në varësi të rezultateve të këtij vlerësimi, do të ndërmerren masat përkatëse.
Paralelisht, thote policia, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike.
Policia e Shtetit
Në vijim të masave të marra për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur paraditen e datës 20.09.2026, në qytetin e Sarandës, dhe pas analizës së bërë pasditen e djeshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, ju informojmë se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Sigurisë Publike, me qëllim kryerjen e një rivlerësimi të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me DVP Vlorë, stafin drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat e tij hetimore.
Gjithashtu, po kryhet një rivlerësim i performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe i efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në bazë të performancës së tyre, do të ndërmerren veprimet e duhura.
Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive hetimore, të koordinuara ngushtësisht me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.
