Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, ku është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, në takim morën pjesë edhe anëtarët e KPK-së, Milot Krasniqi dhe Arlinda Muqa, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi. Nga Institucioni i Avokatit të Popullit ishte i pranishëm edhe zëvendësavokati i Popullit, Basri Kastrati, së bashku me bashkëpunëtorë.
Gashi theksoi përkushtimin e KPK-së për thellimin e bashkëpunimit me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke vlerësuar rëndësinë e komunikimit të rregullt, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit në çështjet që lidhen me përgjegjësitë e dy institucioneve.
Ai tha se respektimi i të drejtave të njeriut në procedurat penale është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe funksionimit të drejtë të sistemit të drejtësisë.
“Zbatimi i standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në të gjitha fazat e procedurave penale, në përputhje me ligjshmërinë, proporcionalitetin, paanshmërinë dhe procesin e rregullt ligjor, është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me Këshillin Prokurorial të Kosovës, me fokus respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në fund të takimit, të dyja palët u pajtuan për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e lirive themelore dhe rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
