Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se vendi po “blindohen” në prag të vendimit të Hagës. Përmes një njoftimi, institucioni ka sqaruar se planet policore hartohen në kuadër të procedurave të zakonshme dhe nuk përbëjnë një masë të jashtëzakonshme.
Të lidhura
None found
“Për të informuar drejt qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe më gjerë, sqarojmë se planifikimi dhe zbatimi i masave të sigurisë në raste kur priten zhvillime, aktivitete apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve, si dhe hartimi i planeve policore, janë pjesë e procedurave të rregullta policore”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, masa të tilla janë parashikuar edhe për marshin solidarizues paqësor të 12 shtatorit 2026, si dhe për tubime e aktivitete të tjera. Qëllimi i tyre është menaxhimi i sigurt i grumbullimeve, garantimi i rendit dhe sigurisë publike, rregullimi i qarkullimit rrugor dhe zhvillimi normal i aktiviteteve.
“Gjatë vlerësimeve dhe hartimit të planeve, merret në konsideratë edhe mundësia që individë ose elemente të caktuara, përfshirë persona nga jashtë vendit, të përpiqen t’i përdorin grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese”, bëhet e ditur në njoftim.
Policia thekson se bëhet fjalë për masa parandaluese dhe standarde, të cilat përcaktohen në bazë të numrit të pritshëm të pjesëmarrësve dhe vlerësimit të situatës në tërësi.
Njëkohësisht, qytetarëve dhe mediave u është bërë thirrje që të marrin për bazë vetëm njoftimet zyrtare dhe “të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm në opinion”.
Reagimi erdhi pas raportimeve në media se Policia e Kosovës kishte përgatitur një plan të gjerë operacional për 16 shtatorin, datën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
