Kosova anëtarësohet në elitën botërore të mjekësisë sportive

Kosova është bërë pjesë e Federatës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si anëtare e rregullt.

Ky vendim, u mor në mbledhjen e Këshillit të Delegatëve në Dubai të shtunën më 26 tetor.
Përveç një abstenimi nga Gjeorgjia, të gjitha vendet e pranishme votuan unanimisht për anëtarësimin e Kosovës, duke pranuar me entuziazëm projektin e Asociacionit të Kosovës për Mjekësi Sportive (KASEM), një iniciativë që u themelua nën iniciativën e UBT-së.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i pranishëm për të paraqitur prezantimin, falënderoi delegatët për kontributin e tyre në këtë proces dhe e vlerësoi Komitetin Ekzekutiv për pranimin e vendimit në Këshillin e Përgjithshëm të Delegatëve.

Ai theksoi se “Kosova do të jetë një anëtare e angazhuar dhe e përgjegjshme, e gatshme për të kontribuar në zhvillimin e mjekësisë sportive në nivele të reja ndërkombëtare.

Ky anëtarësim përfaqëson jo vetëm një sukses të madh për Kosovën, por edhe një mundësi për të promovuar dhe zhvilluar edhe më shumë mjekësinë sportive me standarde ndërkombëtare”.

Anëtarësimi në FIMS tregon avancimin e Kosovës për të avancuar këtë disiplinë në nivel botëror.


Shtuar 28.10.2024 14:12