Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj nderimeve shtetërore të organizuara në Serbi për Ratko Mlladiqin, i cili është dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në X, Konjufca e ka cilësuar këtë akt si një turp të thellë moral e politik, duke shprehur kritika edhe për praninë e ministrave në detyrë në ceremoninë për nder të Mlladiqit.
“Nderimi i një krimineli të dënuar lufte, krimet e të cilit një tribunal ndërkombëtar i ka përshkruar si ‘ndër më të rëndat të njohura nga njerëzimi’, është një akt turpi të thellë moral dhe politik”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij, nderimet ushtarake dhe përfshirja e zyrtarëve të qeverisë në këtë ceremoni përfaqësojnë glorifikim institucional të një figure të dënuar për gjenocid.
Konjufca e ka vendosur këtë zhvillim në kontekstin e së kaluarës politike të Serbisë, duke përmendur edhe presidentin aktual, Alleksandar Vuçiq, i cili gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit ka mbajtur postin e ministrit të Informacionit.
“Për Republikën e Kosovës, kjo nuk është një debat abstrakt për historinë. Populli ynë e mbart kujtesën e masakrave, civilëve dhe fëmijëve të vrarë, dëbimeve masive dhe dhunës sistematike të kryer nga forcat shtetërore serbe”, ka deklaruar ai.
Ministri në detyrë ka theksuar se Kosova kundërshton çdo tentativë për t’i trajtuar krimet e vërtetuara nga gjykatat si çështje të interpretimit kombëtar, apo autorët e dënuar si persona që meritojnë nderime.
“Gjenocidi nuk merr një kuptim tjetër me kalimin e kohës dhe mohimi nuk mund ta fshijë dinjitetin e atyre që u vranë, u përndoqën dhe u dëbuan. Ne qëndrojmë në krah të popullit boshnjak, të viktimave dhe të mbijetuarve të Srebrenicës, si dhe të të gjitha familjeve, vuajtjet e të cilave nuk mund të pajtohen kurrë me glorifikimin e atyre që ishin përgjegjës për këto krime. Nuk mund të ketë pajtim të vërtetë pa të vërtetën dhe as një të ardhme të besueshme evropiane të ndërtuar mbi nderimin e autorëve të krimeve që tronditën ndërgjegjen e njerëzimit”, ka shkruar mes tjerash Konjufca.
