Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka shprehur shqetësim të thellë për tensionet e brendshme që po e mbërthejnë partinë, duke paralajmëruar se ajo rrezikon të dalë e fragmentuar dhe e dobësuar nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i thirrur për 30 korrik. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai vuri në dukje një konflikt të ashpër interesash brenda saj, duke theksuar se epilogu i kësaj mbledhjeje mbetet i paqartë, përfshirë edhe fatin e udhëheqësit aktual, Lumir Abdixhiku.
Të lidhura
None found
Sipas Salihajt, nuk ka asnjë lidhje me ndonjë proces reformimi, pasi sipas tij, reforma nuk mund të shihet thjesht si zëvendësim personash. Ai u bëri thirrje të dy kampet brenda LDK-së që të ushtrojnë maturi dhe të mos sakrifikojnë partinë për përfitime personale apo ndikime të jashtme.
“Jam thellësisht i brengosur nga përplasjet dhe tensionet në LDK. Ekziston një kërcënim konkret që kjo forcë politike të dalë nga ky kuvend shumë e përçarë dhe e dobësuar. Ende nuk dihet se ku do të shkojë mbledhja dhe çfarë do të ndodhë me Lumir Abdixhikun. Por një gjë është e sigurt: LDK-ja nuk do të forcohet pas këtij procesi. Është e dukshme që brenda saj po zhvillohet një luftë e fortë interesash. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me reforma, sepse reforma nuk është thjesht ndërrim njerëzish”, citohet të ketë thënë ai.
“Shpresoj që të dyja palët të dëgjojnë zërin e arsyes dhe të mos e shkatërrojnë LDK-në për interesat e tyre vetjake ose për ato të dikujt tjetër, jashtë partisë”, shtoi ish-deputeti.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm u thirr pasi kryetari i partisë konstatoi plotësimin e kushtit statutar për mbështetje me nënshkrime nga të paktën një e treta e delegatëve. LDK-ja njoftoi se mbledhja e së enjtes, më 30 korrik, do të zhvillohet në përputhje me rregulloren e brendshme dhe pritet të adresojë zhvillimet e fundit, si dhe çështje që lidhen me drejtimin dhe organizimin e partisë.
