Aktiviteti i nëntë gurthyesve është ndërprerë pas një ndërhyrjeje të Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi ata ushtronin veprimtarinë pa dokumentacionin e nevojshëm dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas të dhënave të publikuara, shtatë nga këta gurthyes operonin në Suharekë, kurse dy të tjerë në Skenderaj.
Të lidhura
None found
Ndërhyrjen e ka konfirmuar Qeveria e Kosovës, e cila njoftoi se punimet në të nëntë gurthyesit ilegalë janë ndalur për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, bëri të ditur se aksioni u zhvillua pasi u analizuan dosjet e mbi 200 gurthyesve.
Pacolli paralajmëroi se kontrollet dhe aksionet në terren do të vijojnë, ndërsa çdo subjekt që kapet duke vepruar jashtë ligjit do të përballet me masa.
Ajo theksoi se nuk do të tolerohen subjektet që operojnë pa lejet dhe dokumentacionin përkatës, duke cenuar njëkohësisht mjedisin.
