Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) bëri publik të enjten një hulumtim parlamentar, ku paraqet gjashtë amendamente për projektligjin që rregullon Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Të lidhura
None found
Dokumenti mban titullin “Ndërhyrjet e nevojshme para miratimit përfundimtar të Ligjit për Byronë” dhe trajton çështjet që, sipas institutit, duhet të përmirësohen para se Kuvendi ta miratojë përfundimisht projektligjin.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka bërë të ditur se raporti është hartuar për periudhën mes dy leximeve parlamentare dhe përmban propozime konkrete për ndryshime në ligj.
Ndër kërkesat e institutit është që drejtori i përgjithshëm i Byrosë dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të zgjedhur nga Kuvendi të sigurojnë së paku 61 vota. Sipas IKD-së, ky kusht do ta forconte pavarësinë e institucionit.
IKD-ja kërkon gjithashtu krijimin e një Divizioni për Konfiskim Civil në Gjykatën e Apelit, me qëllim që specializimi i gjyqësorit të përfshijë të dy nivelet e gjykimit.
Një prej amendamenteve propozon që zgjerimi i verifikimit të pasurisë pas përfundimit të funksionit publik të mbështetet në një kriter të matshëm. Verifikimi mund të shtrihet deri në pesë vjet pas përfundimit të detyrës, kur diferenca mes pasurisë së fituar dhe të hyrave të ligjshme për të njëjtën periudhë është mbi 25 mijë euro.
Raporti parasheh që Gjykata fillimisht të shqyrtojë nëse propozimi për konfiskim ka bazë. Barra e provës do t’i kalonte palës vetëm pasi Gjykata ta miratonte propozimin me vendim të formës së prerë. Gjithashtu, ankesa ndaj vendimit të konfirmimit duhet të ketë efekt pezullues.
Një tjetër propozim kërkon rregulla për kompensimin e dëmeve në rastet kur procedura mbyllet pa konfiskim. Këtu përfshihen dëmet që vijnë nga kufizimi i përdorimit ose disponimit të pasurisë, rënia e vlerës së saj dhe shpenzimet e drejtpërdrejta të procedurës.
Amendamenti i gjashtë do t’u jepte palëve të treta mundësinë që në Gjykatë të kundërshtojnë vendimet për zgjerimin e verifikimit të pasurisë.
IKD-ja e konsideron legjitime krijimin e një mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, por nënvizon se ligji duhet të jetë i qartë dhe i parashikueshëm, si dhe të sigurojë garanci të mjaftueshme procedurale.





