Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar kolonel Ahmet Krasniqin në përvjetorin e vrasjes së tij. Ai theksoi se përvjetorë të tillë rikthejnë në vëmendje çmimin e madh që Kosova pagoi për lirinë.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e cilësoi Krasniqin si figurë të sakrificës, profesionalizmit dhe përkushtimit të pastër ndaj atdheut.
Sipas ish-kryeministrit, ekzekutimi i kolonelit la pas një mungesë të thellë, por vizioni i tij për krijimin e një ushtrie të rregullt dhe institucionale u realizua.
Haradinaj e përmbylli mesazhin e tij me nderimin për jetën dhe veprën e Ahmet Krasniqit, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tij.
Kolonel Ahmet Krasniqi u vra më 21 shtator 1998 në Tiranë. Ai mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë në Ekzil të Republikës së Kosovës, e cila drejtohej nga Bujar Bukoshi. Rrethanat e vrasjes së tij ende nuk janë zbardhur.
